E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet, pas janarit

Këshilli i Ministrave të BE-së ka miratuar vendimin që çështja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE të shqyrtohet në gjashtëmujorin e parë të presidencës spanjolle. Vendimi pasoi pas shumë debateve që nxorën ndarjet mes vendeve anëtare të BE-së lidhur me të ardhmen e FYROM. Për caktimin e datës konkrete për fillimin e negociatave janë deklaruar: Suedia, Britania e Madhe, Polonia, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Çekia dhe Italia. Ndërkohë, Franca, Gjermania dhe Spanja nuk kanë qenë pjesë e debateve dhe nuk kanë diskutuar aspak mbi këtë çështje. Greqia dhe Qiproja janë deklaruar kundër, duke rezistuar që edhe në konkluzionet përfundimtare të mos përmendet fare data për fillimin e negociatave. Këshilli i Ministrave të BE-së ka kërkuar që Maqedonia ta vazhdojë procesin e reformave të ngelura dhe luftën kundër korrupsionit. Maqedonia është përballur me bllokadën e dytë greke për procesin e eurointegrimeve dhe kjo e dyta vjen nga Brukseli, pas asaj në Bukuresht, kur u bllokuan aspiratat e anëtarësimit në NATO.

Menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, ka reaguar edhe shtypi zyrtar. "Rezultati në Bruksel mund të përkufizohet si hipokrizi e re greke, sepse vendi i cili gjoja angazhohet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të inkuadrohennë Bashkimin Europian sa më shpejt, pengon vendin tonë në mundësinë e parë", deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, duke e transmetuar qëndrimin zyrtar të qeverisë së Maqedonisë pasi Këshilli i BE-së e anuloi vendimin për përcaktimin e datës për fillim të negociatave të Republikës së Maqedonisë me BE-në për shkak të kundërshtimit të Greqisë.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë theksoi se pengimi jo vetëm që do ta dëmtojë imazhin e BE-së, por në mënyrë plotësuese mund ta prishë edhe prestigjin e vetë procesit të eurointegrimit. Ai iu falënderua kryesimit suedez dhe një numri të madh të vendeve-anëtare, të cilat mbështetën Maqedoninë që vitin e ardhshëm, siç u iniciua në fillim, t‘i caktohet afat kohor, në të cilin do të vendoset për marrjen e datës. "Kjo tregon se të gjitha vendet-anëtare të tjera e vlerësojnë përparimin tonë, e valorizojnë seriozisht dhe ky do të jetë motivimi ynë që në mënyrë plotësuese të vazhdojmë me reformat dhe të arrijmë të gjejmë mënyrën se si t‘i realizojmë ambiciet tona në një rrugë legjitime, reale dhe realizuese", tha Milloshoski në Kuvendin e Maqedonisë.

Shefat e diplomacive të vendeve të BE-së dje në Bruksel vendosën që çështja për caktimin e datës për fillim të negociatave të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Union të shqyrtohet sërish gjatë kryesimit të Spanjës, në gjysmën e parë të vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›