E Diel, 1 Nëntor 2026

Lakrori: PS-ja të shpallë nismën për ribashkimin e gjithë socialistëve

Kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi, është shprehur se statuti i partisë krijon mundësi për afrimin e kujtdo

Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe sfida e vështirë elektorale, që parashikohet të ndodhë në muajt në vazhdim, shihet nga socialistët si një arsye më shumë për të lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe për të iniciuar një bashkim të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike. Por ka edhe nga ata socialistë, siç është rasti i Maqo Lakrorit, që mendojnë se kjo nismë duhet të nisë nga brenda vetë socialistëve. Për këtë arsye, ai propozoi dje, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë Socialiste, që ky forum të iniciojë një proces bashkimi të të gjithë socialistëve, në të gjithë vendin, para zgjedhjeve të 2009-s. Më konkretisht, propozimi i Lakrorit kishte në thelb të tij idenë që të gjithë socialistët që ndodhen të ndarë në parti të tjera, por që qëndrojnë ende brenda së majtës, të afrohen rreth PS-së, si partia kryesore, për të bërë të mundur paraqitjen në zgjedhjet e ardhshme, si një trup i vetëm, si një shans më shumë për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që pritet të mbahen në fund të muajit qershor. Sipas tij, ky proces duhet të konkludohet edhe me një kongres të veçantë, si kongresi i ribashkimit. Gjithashtu, ai ka kërkuar nga asambleja që të dalë garante për proces transparent përzgjedhjeje kandidatësh për deputetë. Për këtë, ai ka propozuar që përzgjedhja e tyre të bëhet nëpërmjet një procesi konkurrimi të hapur dhe publik, në mënyrë që zgjedhësit të japin paraprakisht vlerësimin për secilin prej emrave që do të përfshihen në listat shumemërore për secilin qark. Por, këto propozime, nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur nga drejtuesit e lartë të partisë, të cilët kanë theksuar se PS-ja është një forcë e hapur dhe në të mund të afrohet kushdo që e ndjen veten se përfaqëson idetë e së majtës. Kështu, kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi, i ka treguar Lakrorit se PS-ja është një parti që vepron në bazë të statutit dhe në të krijohen të gjitha hapësirat e duhura për të pranuar në parti çdo njeri që vlerëson se është socialist. Ndërkohë, kreu i PS-së është shprehur i hapur që të pranojë të diskutoj çdo propozim që vjen në mënyrë zyrtare. Për këtë, ai ka ftuar edhe anëtarët e asamblesë që të diskutojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›