Haiti, 6 muaj pas tërmetit. Situata ende e dëshpëruar
Rreth gjashtë muaj pas tërmetit që mori jetën e rreth 300 mijë personave, në vend situata është akoma e dëshpëruar. Më shumë se një milion e gjysmë persona kanë mbetur të pastrehë dhe jetojnë nëpër çadra të kërcënuar nga shirat dhe mbi të gjitha nga ardhja e sezonit të uraganeve në një vend me ekonomi të paralizuar, ku ndihmat ndërkombëtare pas entuziazmit të fillimit mbërrijnë me vonesë. Ata që rrezikojnë më shumë janë fëmijët. Janë pikërisht ata emergjenca e vërtetë e vendit pas tërmetit. Për momentin nevoja më e madhe është sistemimi i njerëzve që jetojnë nëpër çadra, nëpër fushat e kryeqytetit Port ou Prince, sepse në Haiti shi do të thotë përmbytje të përmasave apokaliptike, sidomos me fillimin e sezoneve të uraganeve. Sipas denoncimeve të shoqatave të ndryshme humanitare mungon një koordinim real në administrimin e ndihmave, që nuk arrin të transformohen në ndërhyrje konkrete, kjo sepse qeveria lokale është e pafuqishme. Për ta ringjallur Haitin, sipas vlerësimeve, do të duheshin 9 miliardë euro dhe 5-10 vjet kohë. Kështu, edhe pse nga tërmeti i 12 janarit me magnitudë 7.0 të shkallës Rihter kanë kaluar gjashtë muaj, kushtet e haitianëve mbeten kritike. Mjafton të mendosh se për të pastrehët “shteti” ka vënë në dispozicion një tualet për më shumë se 200 persona. Në kryeqytetin Port ou Prince, më shumë se 19 milionë metër kub plehra nuk janë hequr prej rrugëve të qytetit dhe pjesa më e madhe e haitianë nuk ka asnjë burim të ardhurash dhe mund të mbështeten vetëm te ndihmat ndërkombëtare. Tërmeti shkatërroi me themel ekonominë e këtij vendi, ndër më të varfrit në planet. Vetë Presidenti i vendit, Rene Preval, ka pranuar se fati i vendit ndodhet në duart e komunitetit ndërkombëtar. Ata që kanë lëshuar alarmin kanë qenë “Mjekët pa kufij”, të cilët kanë denoncuar kushtet dramatike të jetesës së haitianëve. Sipas tyre, situata është e dëshpëruar më keq se në ditët e para të tërmetit. Sipas koordinatorit të OKB-së në Haiti, Nigel Fischer, pas konfuzionit fillestar, koordinimi i ndihmave është përmirësuar, por do të duhet ende shumë kohë që të mbërrijnë të gjitha. Pikërisht kjo është edhe detyra e Bill Clinton, i dërguari special i OKB-së: të dialogojë me donatorët, të sigurohet se fondet mbërrijnë dhe shndërrohen në projekte. Ish-presidenti amerikan ka mbërritur në Haiti dje për t’u takuar me Presidentin dhe Kryeministrin e vendit. Që nga dita e tërmetit, rreth 6 muaj më parë, është hera e katërt që Clinton shkon në Haiti për koordinimin e ndihmave. Në intervistat e lëshuara për mediat amerikane, Clinton ka deklaruar se “deri tani kanë mbërritur në vend vetëm 10 për qind e ndihmave të premtuara dhe miliona njerëz jetojnë ende nëpër çadra”. Por frika më e madhe është për fëmijët që rrezikojnë të sëmuren, për shkak të kushteve të këqija në çadrat ku jetojnë, ka deklaruar “Save the children”. Ndërsa organizata “Terres des Hommes” lëshon alarmin për “trafikun e fëmijëve nën pretekstin e adoptimeve. Rreth 70 për qind e fëmijëve që gjenden nëpër jetimore sipas kësaj organizate, ka të paktën një prind që i ka mbetur gjallë. Por, ndërkaq shifrat e katastrofës ishin dhe mbeten alarmante. Sipas të dhënave të “The Indipendent”, janë 1.5 milionë njerëzit e pastrehë dhe me mijëra shtëpi të shkatërruara, 5000 shkollat e rrënuara, 9 miliardë euro fondet e nevojshme për rindërtimin e vendit në një kohë 5 – 10-vjeçare dhe 1.9 milionë personat që jetojnë me kushte skandaloze nëpër çadra.
#