BE: Ndihmë Qeverisë greke vetëm në rast emergjence
Greqia duhet të ngrohet vetë në këmbë, por në të kundërt, BE nuk do ta lërë të shtrirë. Dje ministrat e Financave së eurozonës, pas katër orë bisedimesh, ranë dakord të ndërhynin në financat greke vetëm në raste ekstreme. Sipas agjencisë gjermane Dë, ministrat e Financave të zonës së euros kanë rënë dakord për planin emergjent të ndihmës për Greqinë. Ata vendosën në Bruksel që në rast se shteti në Greqi falimenton, ta ndihmojnë vendin me kredi bilaterale. Modalitetet teknike të një aksioni shpëtimi ndodhen tani në tavolinë, tha kryeministri i Luksemburgut dhe shefi i grupit të euros, Jean-Claude Juncker. “Kjo na jep mundësinë të veprojmë në mënyrë të koordinuar. Dhe të veprojmë shpejt, nëse bëhet e nevojshme. Propozimi që bëjmë ne është në përputhje të plotë me konventat dhe ligjet kombëtare.” Sipas paktit të Lisbonës, Banka Qendrore Evropiane dhe vendet e veçanta anëtare e kanë të ndaluar të ndihmojnë me kredi vendet me borxhe të mëdha. Detajet e ndihmës financiare duhen përpunuar ende. Duket se vendet anëtare do të ndihmojnë Greqinë me dhënie kredish. Komisioni i Bashkimit Evropian do të koordinojë aksionin e ndihmës. Nëse ai do të jetë i nevojshëm, megjithëse Jean-Claude Juncker vazhdon të mendojë se puna nuk do të vijë deri aty. “Ne mendojmë se nuk do të kemi nevoje për një instrument të tillë, sepse masat greke për konsolidimin e ekonomisë janë të besueshme dhe kanë bindur edhe tregjet financiare.” Për paketën e ndihmës do të vendosin kryetarët e shteteve dhe të qeverive në takimin e nivelit të lartë, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Sipas VOA, forma ekzakte e ndihmës ende nuk është vendosur. “Ata nuk kanë kërkuar ndonjë ndihmë financiare kështu që dje ne vetëm diskutuam çështje teknike për të pasur disa instrumente gati në se është e nevojshme”, tha ministrja spanjolle e Financave Elena Salgado. Greqia ka nevojë të marrë 74 miliardë dollarë hua këtë vit- 27 miliardë në prill dhe maj – por është e detyruar të paguaj interesa më të larta sesa vendet e tjera evropiane, me situatë më të qëndrueshme fiskale. Greqia ka paralajmëruar se problemet e saj të buxhetit do të përkeqësohen në se normat e interesit nuk ulen dhe premtimi i eurozonës për ndihmë është një mënyrë për të bindur tregjet se duhet të vendosin norma më të ulëta për borxhin grek. Mospagimi i Greqisë do të ishte katastrofë për euron. Ekonomistët dhe tregjet financiare presupozojnë se BE-ja do të gjejë mënyra për ta ndaluar një skenar të tillë. Në takimin e një muaji më parë ata vendosën që të ndihmojnë Greqinë, nëse ajo nuk arrin të marrë para. Deri tani Qeveria greke ka arritur të marrë kapital të freskët nga tregjet financiare, megjithëse ai ka qenë me përqindje të konsiderueshme rreziku. Së bashku me përfaqësuesit e Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Rehni i pati kërkuar Athinës dy javë më parë që të shtrëngojë më shumë rripin. Pas kësaj Qeveria socialiste ashpërsoi programin e kursimeve. Qeveria greke ka planifikuar uljen e rrogave në shërbimet publike, bllokimin e pensioneve dhe rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar nga 19 në 21 për qind.