E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati ndryshimet në Qeverinë e Kosovës



Dy partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë janë pajtuar për fillimin e vlerësimit të punës së kabinetit qeveritar, që do të çonte drejt ndryshimeve në qeveri. Sipas BBC, Nuk ka ende një plan të qartë nëse ndryshimet në Qeverinë e Kosovës do të mund të bëhen së shpejti, por partnerët e koalicionit qeverisës thonë se bisedimet për lëvizje brenda kabinetit qeveritar kanë hyrë në një fazë përfundimtare. Zyrtarë të PDK-së thonë se i mbetet kryeministrit Hashim Thaçi, që ta përcaktojë dinamikën e ndryshimeve brenda qeverisë, që sipas tyre janë të domosdoshme. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se edhe Kuvendi i Kosovës, është i interesuar që gjithçka të bëhet mbi bazën e një interesi të një qeverisje dhe të një cilësie të re të qeverisjes në Kosovë. “Qeverisja në Kosovë sipas të gjitha gjasave, pasi është thënë edhe nga vetë kryeministri se do të bëhet riformatizimi, ka nevojë për një qeverisje dhe një kualitet të shtuar,”. Por ndërkohë, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike, thotë se ndryshimet në qeveri janë të vonuara dhe ato duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me angazhimet konkrete të të gjithë kabinetit qeveritar dhe me paraqitjen e tyre. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha BBC-së se ka pasur pak përparime në disa fusha në veçanti në përmbushjen e obligimeve që dalin nga programi qeveritar. “Edhe më tutje mbetet problematike shtylla e sundimit të ligjit dhe për ne sundimi i ligjit nënkupton edhe drejtësinë edhe policinë dhe sektorë të tjerë që janë të ndërlidhur drejtpërdrejt. Mbetet gjithashtu problematike lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pastaj menaxhimi i kufirit dhe edhe mospërfshirja e Kosovës në “listën e bardhë” të BE-së dhe në proceset e integrimeve evropiane,” tha Haziri. Zyrtarë të qeverisë thanë se pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve lokale, që janë zgjatur deri nga mesi i këtij viti, do të mund të fillojë procesi i vlerësimit të punës së kabinetit qeveritar, të cilin hap thuhet ta kenë mbështetur edhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Por opozita ka shfaqur dyshime në siç thotë, angazhimin e partnerëve të koalicionit dhe ka deklaruar se ndryshimet e përfolura janë vetëm përpjekje për të zgjatur mandatin e Qeverisë aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›