E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS i rikthehet bojkotit të Kuvendit, Rama letër Berishës: Pakt brenda 18 marsit ose të largojmë



BLEDAR HOTI

Partia Socialiste bojkoton mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si rezultat i mos pranimit të kërkesës së saj nga ana e maxhorancës për hapjen e kutive të votimit në hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Opozita i është rikthyer bojkotit, duke paralajmëruar se një gjë të tillë mund ta ndërmarrë edhe në seancën parlamentare të së enjtes. Socialistët, nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj kërkuan në mbledhjen e djeshme të komisionit që diskutimet të nisin nenin 4, ku sanksionohej hapja e kutive të votimit dhe më pas të realizohej shqyrtimi i neneve të tjera. “Nuk ka absolutisht pse të bëjmë hipokrizi, edhe ju dhe ne. Theksuam dhe dje që thelbësore për ne është neni i katërt i iniciativës sonë, duke theksuar gjithashtu se kjo është thelbësore dhe jo e panegociueshme, duke lënë mundësinë që nëse mund të gjendet një zgjidhje për ta konsideruar hapjen e kutive zgjedhore një provë të rëndësishme për hetimin parlamentar. Për fat të keq kjo që bëjmë ne këtu, amendamentet që ju keni bëri e zhveshin iniciativën tonë në thelbin e saj. Ne do të kërkonim që të nisnim diskutimin në nenin 4, në të kundërt çdo gjë do të ishte e tepërt”, deklaroi Xhafaj. Por kryekomisioneri Rusmali u shpreh se “procedura nuk është e dyshimtë në këtë rast. Diskutimi nen për nen nuk mund të bëhet nga fundi në fillim, do të bëhet nga fillimi në fund, nuk ka zgjidhje tjetër. Këtu ka një set amendamentesh, që janë të rëndësishme po aq sa është i rëndësishëm projektligji. Ne do t’i kalojmë shpejt këto nene. Neni katër vjen shumë shpejt, është tre nene pas nenit 1 dhe nuk do të kemi shumë debate në lidhje me këtë çështje. Komisioni e shpreh vullnetin e tij në fund me anë të votës. Nuk mund të prish procedurën e komisionit dhe të kaloj me selektim, me diskutime të veçanta”. Por Xhafaj u kërkoi deputetëve të PS-së të çohen nga mbledhja dhe të largoheshin. “Vazhdojeni kështu ju zoti kryetar. Ne jemi të gatshëm dhe me shumë dëshirë që të vazhdojmë në arritjen e një konsensusi”, tha Xhafaj. Ndërsa Rusmali i kërkoi që të mos ta ndërmarrin një veprim të tillë, pasi “duke bërë presion te ligjet dhe te Rregullorja e Kuvendit nuk ka sens gjëja”. Pas 15 minutave pushim, deputetët e maxhorancës e kanë nisur mbledhjen pa kolegët e tyre të opozitës. “Të ngrihesh nga tavolina e komisionit sepse nuk do të votosh pro themelit të shtetit tënd, themelit ku t’i ushtron aktivitetin tënd politik, është së paku absolute. Nuk mund të bëhet sakrifica për hir të qenies së tyre këtu, duke hequr themelin mbi të cilin ngrihet gjithë shteti. Prandaj është ushtrim i pamundur ajo që zoti Xhafa na vendosi sot në tavolinë, ajo që zoti Xhafa na kërkoi ne të miratojmë” tha Rusmali, pas rifillimit të mbledhjes. Maxhoranca ka marrë në konsideratë vetëm nenin 1 të PS-së, duke e bashkuar me propozimin e saj.

Nenet e miratuara

Në pikën 1 të nenit 4 shtohen fjalitë e mëposhtme:
Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje të gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.
Neni 4/1
Hetimi i zgjedhjeve
1. Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më gjatë se tre muaj. (variant i PD)
Në nenin 4, pika 5 ndryshon si më poshtë:
“5. Komisionet hetimore të Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar i paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore”. (variant i PS)
Neni 3 i projektligjit hiqet
Pas nenit 3 të projektligjit shtohet një nen me këtë përmbajtje:
Neni 3/A
Në nenin 5, pika 1 pas fjalës “paraqet” shtohet ky togfjalësh “objektin e hetimit, i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet....”. (variant i PD)

Rama: Konsensus brenda 18 marsit, ose largojmë Qeverinë

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama i kërkon konsensus Kryeministrit Berisha deri më 18 mars, ndryshe do të largojë Qeverinë e tij. Përmes një letre të hapur dërguar kreut të Qeverisë dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, Rama akuzon maxhorancën për mungesë vullneti e cila rrëzoi projektligjin e PS për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
“Fortifikimi i mëtejshëm i pozicionit Tuaj të vjetër, me argumente që janë vetëm një alibi e ngritur mbi frikën nga transparenca dhe si rrjedhojë refuzimi i transparencës nga ana Juaj më 18 mars, do të ishte një gabim që sot nuk jemi në gjendje t’ia parashikojmë dot pasojat. Uroj që ky të mos jetë rasti, por jam i detyruar t’Ju siguroj publikisht, se nëse kështu do të ndodhë, opozita është e përgatitur për ta vazhduar përpjekjen e saj demokratike deri në largimin e kësaj Qeverie”, shprehet Rama në letrën e tij dërguar dje pasdite. Duke e cilësuar vendimin e djeshëm të Komisionit të Ligjeve si mungesë të vullnetit për t’i dhënë drejtim zgjidhjes së krizës, Rama shkruan se opozita shpreson që Kuvendi t’i japë fund situatës politike në vend, duke dalë me një tjetër përfundim në datën 18 mars. “Ndaj ju shkruaj me shqetësim të madh sot në vigjiljen e 18 marsit, kur të gjithë brenda e jashtë Shqipërisë dëshirojnë ligjërimin e një marrëveshjeje dinjitoze që i jep vendit drejtimin e daljes nga kriza politike dhe vetë Parlamentit një frymëmarrje të re demokratike”, shkruhet në letër. Rama fton Kryeministrin Berisha ta konsiderojë letrën e tij si një ftesë për të kthyer 18 Marsin në ditën e konsensusit historik, që siç shkruan ai do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë mekanizmit të korrupsionit që ka përfshirë prej 20 vitesh sistemin zgjedhor në Shqipëri.
Kryesocialisti rithekson edhe njëherë se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive nuk synon ndryshim rezultati në tavolinë, as deligjitimim të Parlamentit, por vetëm atë që Rama e cilëson si çlirim të zgjedhjeve të ardhshme nga korrupsioni. Hetimi, sqaron Rama, nuk ka të bëjë me të shkuarën, por vetëm me të ardhmen dhe ky hetim mund të bëhet vetëm përmes transparencës. “Kutitë të hapen jo për të rinumëruar votat, por për të hetuar numërimin në një proces ku edhe sipas OSBE/ODIHR, në një të tretën e qendrave ka qenë i keq dhe shumë i keq. Kuvendi duhet të vihet në punë jo për të dubluar institucione të tjera apo për t’iu mbivendosur pushtetit gjyqësor, por për të hetuar si është implementuar Kodi Zgjedhor dhe sa është zbatuar ligji më 28 qershor”, thuhet në letrën e kreut të opozitës. Kreu i opozitës i kujton Kryeministrit Berisha se socialistët kanë lëshuar në konsensuset e tyre, ndërsa maxhoranca dhe ai vetë qëndron në të njëjtin pozicion të fortifikuar. “Ju s’keni lëvizur asnjë gjysmë hapi nga pozicioni Juaj fillestar, edhe pse funksioni i Kryeministrit të vendit, aq më tepër në kushtet aspak të lehta ku ndodhet demokracia dhe ekonomia e vendit, kërkon prej Jush kurajon e gatishmërinë për ta kuptuar siç është krizën shqiptare, të njohur tashmë ndërkombëtarisht, duke dëgjuar zërin e arsyes, jo duke besuar tek arsyeja e forcës”, shprehet Rama. “Ky hetim mbështetur në Kushtetutë, thotë Rama, do të identifikojë problemet që duhen zgjidhur në të ardhmen dhe për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë për moszbatimin e ligjeve në fuqi. Ne nuk kemi punë me vendimet e KQZ, thotë më tej Rama, dhe as me vendimet e kolegjit zgjedhor, por nuk mund të qëndrojmë mbi kutitë e mbyllura. Kryesocialisti komenton edhe vendimin për bojkot, duke thënë se nuk ishte bojkoti që futi në krizë demokracinë, por kriza e demokracisë që çoi opozitën në bojkot, krizë që sipas tij i ka rrënjët te korrupsioni elektoral.

Pikat kryesore të letrës së Ramës

18 marsi është dita e caktuar dhe e duhur për ta bërë së bashku në Kuvendin e Shqipërisë, në vëmendjen e jashtëzakonshme të opinionit publik shqiptar dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, hapin e madh drejt këtij çlirimi që do të ndikojë fuqishëm edhe kundër fenomenit të korrupsionit në tërësi.

Ka ende kohë për të reflektuar, folur e zgjidhur këtë nyje gordiane me shpatën e kurajos politike e qytetare, që kërkon një moment kaq delikat kur duhen hapa kurajozë përpara, duke filluar nga transparenca e zgjedhjeve e vazhduar vendosmërisht me reformat e tjera të integrimit dhe me implementimin e tyre për një Shqipëri Evropiane, ku ligjet e shkruara të jenë ligje të zbatuara.

Të ftojmë edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë të na ndihmojnë me praninë dhe sugjerimet e tyre në procesin e transparencës, t’u japim shqiptarëve mundësinë e një eksperience të pashlyeshme demokracie.

Fortifikimi i mëtejshëm i pozicionit Tuaj të vjetër, me argumente që janë vetëm një alibi e ngritur mbi frikën nga transparenca dhe si rrjedhojë refuzimi i transparencës nga ana Juaj më 18 mars, do të ishte një gabim që sot nuk jemi në gjendje t’ia parashikojmë dot pasojat.

Këtë letër zoti Kryeministër duhet ta konsideroni një ftesë për ta kthyer 18 marsin në ditën e një konsensusi historik, për një hetim që nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, as delegjitimimin e Parlamentit të dalë prej atyre zgjedhjeve të korruptuara.

Respekti për opinionin e miqve dhe partnerëve të pazëvendësueshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Evropës, na bëjnë të dëgjueshëm ndaj të gjithë zërave që vijnë nga jashtë nesh. Përfshirë edhe zërin e palës suaj sigurisht.

Prandaj e njohëm rezultatin. Prandaj pranuam parimin e mosndryshimit të tij, pavarësisht rezultatit të hetimit.
Prandaj u treguam tejet të matur në organizimin e protestave.
Prandaj u kthyem në Parlament dhe morëm mandatet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›