Berisha: Vizat, një premtim i mbajtur
Kryeministri Sali Berisha parashtroi dje edhe strategjinë që po ndjek qeveria shqiptare për të plotësuar tri çështjet e kërkuara nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. Në një konferencë për shtyp të mbajtur menjëherë pas dhënies së vendit të Këshillit të Komisionerëve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Kryeministri e cilësoi vendimin si një arritje madhore historike dhe u zotua për plotësimin e pikave të mbetura në këtë proces. “Unë garantoj komisioneren Malstrom, Komisionin Europian dhe të gjitha vendet anëtare, se tri çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajtohen me seriozitetin më të madh nga kjo qeveri, njëlloj si e gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Europian për heqjen e vizave”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë proces një ëndërr që po realizohej. Në këtë kuadër kreu i qeverisë theksoi se rekomandimi për strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve tashmë po merr zgjidhje përmes një strategjie që po përgatitet nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj. Sipas Berishës, së shpejti pritet që kjo strategji të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave. Po kështu, kreu i qeverisë theksoi se një punë e madhe po bëhet edhe në forcimin e kapaciteteve të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kuadër Berisha theksoi se së shpejti qeveria do të marrë vendimin për të shtuar personelin në drejtoritë e luftës kundër trafiqeve dhe drogës. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se qeveria është e vendosur për ta zhdukur kanabisin nga ato fshatra ku është mbjellë më parë. Madje në këtë kuadër, Berisha theksoi se këto zona do të përfitojnë më shumë investime nga qeveria për t’u rehabilituar plotësisht. “Dua të garantoj se, sikundër qeveria është e vendosur të adaptojë zero tolerancë ndaj kanabisit, ajo është edhe e vendosur t’i ndihmojë këto zona, komuna, fshatra, që në mënyrë fatkeqe kontraktuan mbjelljen e kësaj bime, me projekte intensive për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e tyre”, premtoi Berisha. Sakaq, kreu i qeverisë theksoi se po punohet me krijimin e Task Forcave kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, në lidhje me rekomandimin e KE-së, që lidhet me antimafien, Berisha theksoi se Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë nisur një numër çështjesh për konfiskimin e aseteve kriminale dhe disa prej tyre pritet të dërgohen shumë shpejt në gjykatë.
#