Shqipëria ka përparuar, por herë-herë e trazon politika
Ambasadori amerikan, në përfundim të mandatit të tij katërvjeçar në vendin tonë, ka gjetur kohë dhe motivin për të qenë edhe një herë në qytetin e Elbasanit. Ndërsa ka falënderuar grupin e 13 të vullnetarëve të paqes, që nisin punën e tyre në vendin tonë nga qyteti i Elbasanit, ai nuk e ka fshehur kënaqësinë që po vizitonte për herë të fundit këtë qytet, si edhe takimin e tij me kreun e bashkisë, Sejdini, që e ka konsideruar mik të mirë. 40 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes bënë dje betimin zyrtar, pas përfundimit të trajnimit tremujor në rajonin e Elbasanit. “Jam këtu për të përfaqësuar dhe për të mbështetur ata që përfaqësojnë më të mirën e Amerikës që ndodhet në Shqipëri, dhe ju jeni vërtet përfaqësuesit më të mirë të Amerikës. Unë i admiroj të gjithë ata njerëz, të cilët vendosin rëndësinë më të madhe te njeriu, te njerëzimi, ndaj kam ardhur këtu për t’ju përshëndetur dhe përgëzuar”, ka deklaruar ambasadori amerikan. Sipas tij, shqiptarët dinë të vlerësojnë dorën e shtrirë të miqësisë, gjë që e kanë treguar edhe ndaj popullit dhe qeverisë amerikane. “Shqipëria ka bërë shumë përparime në këto vite, edhe pse herë-herë politika ka trazuar progresin dhe prosperitetin në këtë vend”, ka deklaruar ai. Këta vullnetarë të rinj, do t’u bashkohen vullnetarëve të 13 grupeve të mëparshme që vazhdojnë të shërbejnë në qytetet si: Gjirokastër, Përmet, Elbasan etj. Me ftesë të qeverisë shqiptare, Korpusi i Paqes i hapi programet e veta në Shqipëri në vitin 1992 me ndërprerje nga viti 1997 deri në vitin 2003. Duke përfshirë edhe këtë grup të ri të vullnetarëve të sapobetuar, mbi 400 vullnetarë kanë ardhur të kryejnë shërbimin e tyre që në rihapjen e programit në vitin 2003. Vullnetarët kanë studiuar gjuhën dhe kulturën shqiptare për 10 javë në rajonin e Elbasanit, tashmë do të caktohen në qytete e fshatra të ndryshme të vendit, ku do të punojnë për dy vitet e ardhshme si mësues të gjuhës angleze, edukatorë të promovimit shëndetësor dhe si këshilltarë në fushën e zhvillimit organizativ dhe të komunitetit.
#