E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE, Kasoulides: Kriza pengon vizat

Partitë e djathta europiane, në një linjë me deklaratat e të majtëve

Zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane, Ioannis Kasoulides, i cili ishte i pranishëm në darkën e Strasburgut, vlerëson se procesi i liberalizimit të vizave, sikundër dhe procesi i kandidaturës së Shqipërisë në BE, has pengesa nga mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama. Kasoulides u kontaktua një ditë më parë nga “Top Channel”, pas deklaratës së numrit dy të grupimit të majtë europian dhe u pyet nëse e djathta europiane mbështeste qëndrimin e z. Swoboda për bllokim të procesit të liberalizimit të vizave, në rast se palët nuk do të arrinin konsensus brenda dy javësh. Eurodeputeti i djathtë u përgjigj me shkrim për shkak se ndodhet në Qipro. “Kam besim të plotë se Kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i opozitës do të arrijnë një përfundim gjatë takimit të ardhshëm në Strasburg. Të gjithë elementët për një zgjidhje të drejtë ndaj të gjitha shqetësimeve janë aty. Përfituesi kryesor do të jetë populli i Shqipërisë. Një konsensus i tillë do t’i hapë rrugën Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE dhe do të mënjanojë të gjitha pengesat për procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Ioannis Kasoulides, zëvendëspresident i PPE-së. Më 19 maj, dy forcat kryesore politike europiane, në një letër dërguar Kryeministrit Sali Berisha, duke vënë në dijeni dhe liderin e opozitës Rama, kërcënuan me ndërprerje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. E në këtë kuadër përfshihej dhe liberalizimi i vizave, sqaroi dy ditë më parë përfaqësuesi i së majtës europiane. Kjo letër u pasua me takimin në Strasburg të Kryeministrit Sali Berisha, kreut të opozitës Edi Rama, komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, dhe drejtuesve të grupeve të PSE dhe PPE në Parlamentin Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›