Meta: Vendimi për vizat, pas punës së shkëlqyer
Propozimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë është një vlerësim edhe për punën e qeverisë shqiptare. Numri dy i saj, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka përcjellë dje një reagim lidhur me aktin e fundit të KE-së, që i hap rrugë lëvizjes së lirë. “Ky vendim është vlerësimi i një pune të shkëlqyer të autoriteteve shqiptare në drejtim të plotësimit të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Shqipëria do të vijojë të përmbushë tri kërkesat e mbetura dhe të garantojë zbatimin e rezultateve të arritura në përmbushjen e udhërrëfyesit”, citohet Ilir Meta në deklaratën e djeshme për shtyp. Ai është shprehur optimist lidhur me përmbushjen e tri kushteve të vëna deri në bërjen praktike të vendimit të KE. Parimisht Meta ka rikonfirmuar qëndrimin e Kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit vendimi i djeshëm, edhe pse një hap i parë, do të hapë rrugën për miratimin final nga ana e vendeve anëtare. “Vendimi i sotëm i Komisionit është një hap pozitiv, i cili do t’i hapë rrugë vendimmarrjes nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian për bërjen realitet të udhëtimit pa viza të qytetarëve tanë drejt hapësirës ‘Schengen’ sa më shpejt të jetë e mundur”, citohet deklarata e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta.
#