E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Nuk ka heqje vizash pa reforma dhe pajtim politik

Samiti i Bërdos lëshon një mesash të ri për vendet e Ballkanit

Bashkimi Europian ka lëshuar një mesazh edhe më të qartë ndaj Shqipërisë duke i thënë se liberalizimi i vizave do të jepet vetëm se qeveria do të plotësojë kushtet e përcaktuara të kriterit politik: pra të realizimit të reformës në drejtësi dhe të çështjeve të brendshme”. Dje është mbajtur Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, i cili është zhvilluar në një kështjellë mesjetare në Bërdo Sllovenisë. Në këtë takim që është iniciuar nga presidenca spanjolle e BE-së dhe qeveria sllovene është miratuar një deklaratë e përbashkët, në të cilën ngushtohet edhe më shumë “laku” për qeveritë e vendeve të rajonit që kanë probleme me realizimin e kushteve të Brukselit.

Vizat

çështja e liberalizimit të vizave ka qenë një nga problemet e theksuara më qartë nga samiti i djeshëm, i cili i ka kushtuar një paragraf të deklaratës përfundimtare të firmosur nga të gjithë liderët e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, si dhe kryeministrat e Sllovenisë, Kroacisë dhe komisioni për Zgjerimin i BE-së, Stefan Fule. Në pjesën për vizat theksohet se liderët “nënvizuan nevojën për vazhdimin e vlerësimit individual të meritave për procesin e liberalizimin e vizave, i cili së shpejti do të duhet të përballet me opinionet e përshtatshme të Komisionit Europian, të cilat janë çështje që kushtëzohen nga vazhdimi i reformave të duhura në fushat e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme.

Deklarata

Në qëndrimin e përbashkët theksohet se “ne liderët mirëpresin hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe inspirimin e tij për të gjithë rajonin. Riafirmojmë angazhimet tona të bëra me BE-në për përpjekjet tona që të përmbushim kushtet e kërkuara nga kriteri i Kopenhagës dhe Procesi i Stabilizim-Asocimit. Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit në BE varet nga meritat individuale për të arritur kriteret. Në të cilat rendisim: arritjen e pajtimit, progresin, sigurinë, lirinë e medias, shtetin social dhe shtetin e të drejtës për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, ne do të vazhdojmë në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme të bazuara në standardet europiane, parimet dhe vlerat europiane. I bëjmë thirrje Bashkimit Europian që të mbajë procesin e zgjerimit në axhendën e tij dhe të promovojë mekanizmat e bashkëpunimit dhe forcimit të procesit të integrimit në rajon. Ritheksojmë angazhimin tonë për të promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, nëpërmjet punës sonë dhe projekteve të përbashkëta të investimeve dypalëshe sipas shpirtit europian. Të vendosur të vazhdojmë zhvillimin e takimeve rregullore pas Bërdos ne do të mbështesim shkëmbimin e eksperiencës gjatë procesit të integrimit. Ne do të luftojmë të nxisim bashkëpunimin rajonal, si një forcë të stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe pajtimit në nivelin politik dhe praktik për të arritur në koordinimin rajonal në fusha të rëndësishme siç janë infrastrukturat dhe energjia, që kanë një rëndësi për zhvillimin e ardhshëm të rajonit. Ne mirëpresim takimet e nivelit të larta ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të iniciuara nga presidenca spanjolle e BE-së”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›