E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Përballë nesh qëndron armiku i demokracisë

Kriza, ashpërsohet gjuha politike mes palëve “PS dhe opozita do të organizojnë një valë protestash që nuk do të ndalen”

Shqipëria duket se do të jetë edhe njëherë tjetër dëshmitare e protestave politike të udhëhequra nga kërkesa për transparencë elektorale. Pas më shumë se 20 vjetësh tranzicion, më afër se asnjëherë tjetër me Europën, Shqipëria vijon ende të përgënjeshtrojë progresin e raporteve të pafundme zyrtare me kërkesën e palëkundur që kalon nga njëra palë te tjetra; atë për zgjedhje të ndershme. Realiteti politik i prodhuar pas seancës maratonë për hetimin e gjithanshëm parlamentar ka aktualizuar politikën e reagimit qytetar nga ana e Partisë Socialiste, e cila së fundmi po e përforcon vijën e vet politike me një gjuhë të ashpër. Kryetari i saj, Edi Rama, vetëm një ditë nga diskutimi i gjatë në Kuvendin e Shqipërisë i është drejtuar opinionit shqiptar me një thirrje për protesta masive nga ku do të kërkohet largimi i qeverisë. “Unë sot, PS-së, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, aleatëve..., popullit opozitar dhe të gjithë shqiptarëve nuk u ofroj asgjë më shumë se sa këmbëngulje edhe më të madhe, vullnet edhe më të palëkundur dhe kurajë për t’i shkuar deri në fund kësaj beteje... PS dhe opozita e bashkuar do të lëvizë me shpejtësi drejt nxjerrjes në të gjitha hapësirat publike të vendit të protestuesve dhe do të organizojë një valë protestash, të cilat nuk do të ndalen pa u vënë në vend e drejta për transparencë”, deklaroi kreu socialist. Me një terminologji të ngarkuar në shprehje që u përqasen emocioneve të një situate kritike, ai ka bërë të qartë vendimin politik që do të trupëzojë aksionin e ri politik të opozitës së majtë. Protesta qytetare dhe të pandalshme, të cilat Rama i ka vlerësuar si të negociueshme vetëm me “hapjen e kutive”. Më i spikatur ka qenë qëndrimi i kreut të PS ndaj kundërshtarit politik, etiketimet ndaj të cilit vijnë në kontekstin e situatës si një direktivë politike që kërkon mobilizim maksimal të forcave. “Përpara nesh qëndron një armik i transparencës, i parlamentarizmit, i Kushtetutës dhe i vetë demokracisë”, u shpreh ai. Një thirrje, që përveçse po ripërcakton kufijtë e retorikës politike ndër të tjera dëshmon se ballafaqimi i radhës po i drejtohet një prove të vërtetë force. Lidhur me këtë, Rama është shfaqur më i përpiktë në artikulimin e objektivave politikë, formulimi i të cilave po kthehet në një mjet komunikimi mes PS dhe qeverisë. “Ne do të kërkojmë largimin e qeverisë me protesta dhe do të kërkojmë pa asnjë lëkundje, pa asnjë ngurrim, pa asnjë dyshim, transparencën si themel i të nesërmes. Ka vetëm një mënyrë për të ndalur valën e protestave dhe kjo është hapja e kutive...”, shpreh ai. Në raport me debatin e zhvilluar këto 8 muajt e fundit rikonsiderimi i protestave dhe ritmi konstant i kërkesës për hapje të kutive e sjell diskutimin në pikën fillestare. Atë që PS dhe opozita nuk ia arriti dot me një aksion të kombinuar të protestës dhe lëshimit relativ në funksion të negocimit, kreu socialist sot po e parashtron në një rrugë më të reduktuar. Protesta nga rruga dhe pa u ndalur është transformuar jo vetëm në një mjet për të presuar mbi qeverinë, por ndoshta në të vetmen rrugë prej nga ku opozita do të arrinte që të rihynte në marrëdhënien institucionale si e barabartë dhe me një kredo të re për zgjedhjet lokale që po afrojnë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›