Gënjeshtra, mjeti i vetëm i zonjës Ruzhdie
Ka reaguar menjëherë selia rozë ndaj deklaratës së kreut të Kuvendit, Jozefina Topalli. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, nuk e ka kursyer si ironinë ashtu edhe replikën e fortë ndaj drejtueses së legjislativit. “E falënderojmë zonjën Ruzhdie që përmes zëdhënëses u tregoi përsëri sot shqiptarëve që gënjeshtra sy për sy, është mjeti i vetëm që i ka mbetur në dorë qeverisë së Ruzhdies. Të gjithë e panë dje atë që ndodhi, të gjithë e morën vesh se zgjedhjet janë grabitur. Të gjithë e kuptuan dje se ajo që ka ndodhur në Ruzhdie ndodh kudo, edhe në Parlament ku u vodhën firmat e deputetëve të opozitës apo u bë votues edhe Saliu edhe Iliri që s'ishin fare aty. Të gjithë në protesta për të larguar qeverinë e Ruzhdies”, deklaroi Hysi. Socialistët kanë bërë të ditur se do të marrin vendimet e duhura pas përplasjes së ndodhur në Kuvend kur kryeparlamentarja hodhi në votim nismat e opozitës, edhe pse kjo e fundit ka bërë të ditur tërheqjen e tyre. Deputeti Erjon Braçe deklaroi pas daljes nga seanca se “Populli nuk ka frikë nga dyshja kriminale Berisha-Topalli. Do të përballemi me këtë regjim kriminal. Protestat do të marrin dimension të ri. Që nga nesër do të ketë protesta”. Ndërkohë, deputeti Xhafa e ka akuzuar Topallin se ka shkelur rregulloren, ndaj theksoi se opozita do të marrë vendimet e duhura për t’iu përgjigjur situatës.
#