E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita formulon kërkesën për zgjedhje të parakohshme

PS me “objektiv të ri“

“Hap kutitë ose largohu”, deviza socialiste e pas 28 qershorit po u drejtohet toneve më të forta të cilat prekin jo vetëm kufijtë terminologjikë të rendit kushtetues, por ato riformatojnë përmasën politike të lëvizjes së saj. Pavarësisht se edhe dje selia rozë përmes drejtuesit të saj kryesor ka bërë publik si kusht të panegociueshëm hapjen e kutive, ajo që ka rënë në sy ka qenë shpallja e objektivit të zgjedhjeve të parakohshme. “Ky është një Parlament që është fare e qartë nuk mund të bëjë dot ligje për qytetarët e Shqipërisë. Dhe kjo është një arsye më shumë që ne të protestojmë për largimin e qeverisë, shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të rizgjedhin”, ka deklaruar dje Edi Rama. Një objektiv i qartë, i cili deri më tani vetëm sa është nënkuptuar pas kërkesës për hapje të kutive dhe aludimit për manipulim elektoral. Ky qëndrim i ri që do të përcillet më gjerë në protestat që po bëhen të ditura së fundmi, duket se i jep të drejtë skenarit të shumëpërfolur për një bashkim të datës së zgjedhjeve lokale me ato parlamentare. Nëse do të pranohet si e palëkundshme deklarata e kreut të PS se “përtej të gjitha lojërave të shëmtuara të fjalëve të zgjedhura e të pazgjedhura, fakti është shumë i thjeshtë, nuk mund të ketë transparencë pa hapjen e kutive”, atëherë është e pritshme që mundësia për një marrëveshje në këto terma të mos jetë e mundur. Për rrjedhojë, kërkesa e bërë dje hap një parantezë të zhvillimeve politike në vijim që me sa duket do ta kërkojnë konsensusin në objektiva që kapërcejnë atë të formuluar që nga 28 qershori e deri më sot.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›