E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, “OK plani për shpëtimin e Greqisë”



Ministrat e financave të eurozonës ka gjasa të bien dakord të hënën, mbi një mekanizëm për të ndihmuar financiarisht Greqinë, në qoftë se është e nevojshme, por nuk do të përmendin asnjë shumë deri sa Athina të kërkojë një të tillë, sipas një burimi për Reuters. Politikëbërësit kanë debatuar gjatë një muaji mbi ndihmën e mundshme financiare për shtetin anëtar të Bashkimit Evropian me shumë borxhe, por deri tani kanë dhënë vetëm fjalë mbështetjeje. Gjermania, që konsiderohet çelësi për çdo marrëveshje, i ka kundërshtuar apelet për premtime ndihme. Gazeta britanike “Guardian” ka cituar dje burime të saj që tregonin se, në takimin e të hënës, të ministrave të 16 vendeve të eurozonës, do të pranohet plani “i shpëtimit” të Greqisë për të ndarë një fond deri në 25 miliardë euro në dispozicion. Burime të tjera thonë se asnjë shumë nuk do të përmendet në këtë takim. Komisioni Evropian dhe “Task Force Eurogroup” do të ketë mandatin për të finalizuar punën, citon Reuters burimin nga BE. Zërat për një paketë shpëtimi kanë nisur që kur Papandreu nisi të kërkojë një plan kursimi për vendin, i cili shkaktoi greva të tjera të mëdha, që e kanë rënduar shumë vendin (që nga dhjetori 2008). Zyrtarë në Bruksel kanë deklaruar edhe për BBC-në se paketa e shpëtimit do të ofronte hua dhe garanci për Greqinë nëse kjo e fundit do të kërkonte ndihmën e bllokut. Gjermania dhe Franca do të ishin ato vende që do të kontribuonin më shumë për të ndihmuar Greqinë, si më të zhvilluarat e eurozonës. Deficiti i Greqisë është katër herë më i lartë nga sa e lejojnë vendet që përdorin monedhën Euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›