Kufiri Kosovë-Serbi, shpërthyes e plumba drejt EULEX-it
Në orët e para të mëngjesit dje ka ndodhur një shpërthim dhe ka pasur sulme me armë zjarri në pikën kufitare doganore nr. 31 në Kosovë, e cila kontrollohet nga EULEX-i. Hetimet e para treguan se sulmi ishte drejtuar kundër një automjeti të misionit evropian në Kosovë. Përfaqësuesit e misionit Evropian e kanë dënuar këtë sulm duke kujtuar se dhuna nuk i shërben asnjë etnie dhe nuk i jep zgjidhje asnjë problemi. Pakënaqësi ndaj qëndrimit të misionit EULEX janë shprehur si nga kosovarë, ashtu edhe nga serbë, ku secili prej grupeve vlerëson se EULEX është i njëanshëm dhe njëanësia është kundër tyre. “Rreth orës 1:00, një makinë e EULEX-it është qëlluar me armë dhe ka pësuar dëmtime. Po ashtu, një objekt-kontejner i Policisë së Kosovës ka pësuar dëme të vogla nga një mjet shpërthyes”, bëhet e ditur në një komunikatë shtypi të lëshuar nga EULEX-i. “Fatmirësisht, askush nuk u lëndua, por EULEX-i dëshiron të theksojë se ky akt kriminal dhe kundër jetës nuk i shërben interesave të qytetarëve, të të gjitha komuniteteve, në Kosovë. Ai nuk i shërben interesave të Kosovës e as tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane të mëtejme”. Pika kufitare numër 31 në veri të Kosovës ka qenë e mbyllur përkohësisht në të dy kahet e qarkullimit për shkak të sulmit.