Itali, 200 mijë në shesh kundër Berluskonit 2 javë nga zgjedhjet
Dy javë përpara zgjedhjeve vendore në Itali, opozita ka tërhequr dhjetëra mijëra të pakënaqur në sheshet e vendit për të protestuar kundër Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni dhe aleatëve të tij. Zgjedhjet në Itali mbahen më 28 dhe 29 mars. Të mbledhur kryesisht në “Piazza del Popolo” (Sheshi i popullit), protestuesit e opozitës kanë kundërshtuar kryesisht një ligj që u lejon anëtarëve të partisë së Berluskonit të shfaqen si kandidatë edhe kur u ka kaluar afati zgjedhor. Gjatë protestave të kaluara, opozita e kishte vendosur theksin në miratimin e një ligji që do ta përjashtonte Berluskonin nga procedurat penale dhe hetimet. Kryeministri Berluskoni e ka cilësuar qesharake daljen e opozitës në shesh, pasi “ata që duhet të dalin jemi ne për shkak të vendimeve të njëanshme të gjykatave”. Qendra e majtë njoftoi se është kthyer në rrugë për të protestuar mbi mbrojtjen e rregullave, kundër listave të DL mbi shpëtimin e Qeverisë, por edhe të bëjë propozime për të punës dhe standardeve mjedisore. Nën motot “Demokracia, ligji, puna”, “Po, rregullat dhe të drejtat”, “Jo truket”, “Për të fituar”, që nga ora 14:00 në shesh u mblodhën PD, të gjelbrit, SEL, Federata e majtë, Socialistët, IDV dhe disa shoqata, përfshirë “Njerëzit e Purpurt”. Sipas organizatorëve në shesh ishin mbledhur rreth 200 mijë njerëz. Greva mori parametrat e një proteste kombëtare. Protesta e opozitës përkoi edhe me grevën e punëtorëve të pakënaqur me kushtet e jetesës. Dhjetëra fluturime u anuluan dhe lëvizja me autobusë dhe trena u pezullua për disa orë në të gjithë Italinë. Punëtorët nisën me një marshim në Romë dhe në qytete të tjera për të kërkuar mbrojtjen e punës në periudhën e krizës ekonomike. Greva ka bllokuar trafikun për rreth katër orë në disa qytete dhe kompania “Alitalia” ka anuluar dhe shtyrë disa fluturime. Punonjësit e spitaleve dhe të shkollave kishin planifikuar një grevë tetorëshe. Dalja në protesta e punëtorëve ishte organizuar nga unioni më i madh në Itali, CGIL, për të protestuar kundër shkurtimeve të kompanisë “Fiat”, e cila planifikon të mbyllë fabrikën në Sicili vitin e ardhshëm. Protestuesit i kërkuan kryeministrit Silvio Berluskoni dhe Qeverisë së tij të zhvillojë politika për shtimin e punësimit.