E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisen klandestinë për në Greqi, bllokohen nga bora e malit Korab



PESHKOPI - Ikin nga fshati Tomin drejt Greqisë duke synuar kalimin nëpërmjet Maqedonisë, por bllokohen në malet me borë. Kështu u ndodhi dje pasdite dy të rinjve dibranë, të cilët nuk kishin pasaporta për të kaluar jashtë vendit nëpërmjet doganës së Bllatës. Burime jozyrtare thanë se rreth orës 10.00, Moisi Selami, 22 vjeç dhe Shaban Elezi, 23 vjeç kanë kapërcyer kufirin në këmbë dhe kanë vijuar lëvizjen pa u vënë re nga rojet kufitare të shtetit fqinj. Mirëpo rreth orës 18.30, kur kanë konstatuar se lëvizja e tyre e mëtejshme ishte e pamundur për shkak të borës, të ftohtit dhe errësirës ata kanë dhënë sinjalin “Sos”. Policia njoftoi se klandestinët kanë mbetur të bllokuar në rreth 4 km larg fshatit Tanush, fshat ky maqedonas, në afërsi të Dibrës së Madhe. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër P.çera tha mbrëmë për gazetën “Panorama” se salla operative e kësaj drejtorie është njoftuar rreth orës 17.30 se dy djemtë, banorë të fshatit Bahutë të komunës Tomin kanë kaluar kufirin shqiptar në piramidën 6 dhe 7. Ata, sipas policisë kanë lëvizur drejt fshatit Tanush, në perëndim të malit të Korabit. “Nga kontaktet që kemi pasur me policinë kufitare të shtetit fqinj kemi mësuar se dy të rinjtë janë bllokuar nga bora dhe për shkak të ftohtit janë detyruar të lajmërojnë policinë e shtetit maqedonas duke kërkuar ndihmë. Ne kemi komunikuar gjatë gjithë mbrëmjes me dy të rinjtë dhe me policinë fqinje dhe ka qenë e pamundur të gjendet vendndodhja e tyre”, u shpreh çera. Sipas zëdhënësit, një helikopter i ushtrisë së Maqedonisë ka vazhduar që në orën 19.30 lëvizjet në zonën ku të rinjtë kanë thënë se ndodhen, por errësira dhe terreni tejet i thyer e pengojnë gjetjen e tyre. Pas bllokimit të dy të rinjve mbrëmë ka reaguar Ministria e Jashtme, sipas së cilës u njoftua për ngjarjen ambasada e Shkupit. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ralf Gjoni tha se vetë ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben çeku kontaktoi me 2 klandestinët. Sipas tij, për të shpëtuar të rinjtë policia maqedonase vuri në dispozicion një helikopter ushtarak. “Menjëherë sapo është njoftuar ambasadori ynë në Maqedoni Arben Ceku, janë marrë edhe masat për t’u ardhur në ndihmë. Mësohet se qytetarët janë nga Dibra dhe se janë bllokuar në malin e Korabit, ku ka rreth 2 metra borë. Gjendja e tyre është e mirë por bën shumë ftohtë dhe prioritet për ne mbetet shpëtimi i jetës së tyre”, u shpreh Gjoni. Ministria e Brendshme njoftoi dje në mbrëmje se kreu i saj Lulzim Basha ka urdhëruar ngritjen e një grupi emergjence në drejtimin e zv/ministrit, Drejtorit të Emergjencave dhe zyrtarëve të policisë për ti shkuar në ndihmë dy shtetasve shqiptarë. h.p

Familjarët: Ikën nga varfëria

Të afërm të dy të rinjve janë shprehur për policinë e Dibrës se dy të rinjtë nga Tomini nuk kishin udhëtuar herë tjetër nëpërmjet maleve drejt Greqisë. Familjarët u janë lutur të mos udhëtojnë për shkak të borës dhe të ftohtit. Kushtet e rënda ekonomike kanë detyruar dy djemtë nga Tomini të udhëtonin drejt vendeve të tjera. Në pamundësi të një dokumenti ata u nisën drejt rrugës së malit, duke shfrytëzuar dhe afërsinë gjeografike, por pa marrë parasysh kushtet e motit dhe malet e mbuluara nga bora.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›