E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbimi i tri vajzave te Xhamlliku, pa dëshmitarë



Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë, po vazhdon hetimin për rrëmbimin e tri vajzave 13-vjeçare nga shkolla 9-vjeçare në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ditën e djeshme policia ka vazhduar veprimet hetimore për identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm të momentit të rrëmbimit të tri vajzave. Për këtë shkak, grupi i hetimit ka marrë në pyetje drejtuesit e shkollës ndërsa është sekuestruar dhe lista me emrat e nxënësve të klasës ku bënin pjesë tri vajzat. Hetuesit kanë marrë kontakt me të gjithë bashkëmoshatarët e klasës ku bënin pjesë vajzat si dhe me mësuesit, por në përfundim të këtyre veprimeve, është arritur në përfundimin se nuk ka asnjë dëshmitar të ketë parë momentin kur ka ndodhur ngjarja. Të enjten rreth orës 11:00, pasi përfunduan mësimin, tri vajzat dolën nga shkolla e tyre në zonën e Xhamllikut në Tiranë dhe sapo kaluan rrethimin, u morën nga disa persona, siç dyshohet me qëllim trafikimin e të miturave jashtë Shqipërisë.
Dyshimet për mashtrim
Tre persona janë ndaluar të premten në afërsi të Lezhës, ndërsa ishin nisur nga Durrësi me një automjet për të trafikuar jashtë vendit tri vajzat. Nga verifikimet e deritanishme, sipas policisë, të paktën dy prej vajzave dyshohet se kanë pasur njohje me njërin nga rrëmbyesit. Ky person dyshohet se falë njohjes me dy prej vajzave i ka marrë ato duke i mashtruar pa qenë e nevojshme të përdorte forcën derisa i ka futur në makinën e tij. Në këtë kohë ka hyrë në zbatim skenari i trafikimit të mundshëm të vajzave të mitura. Ngjarja mbahet ende në sekret të plotë nga policia dhe prokuroria që nuk bëjnë me dije emrat e personave të arrestuar apo informacione të tjera, megjithëse konfirmohet se vajzat janë dërguar në Durrës vetëm pak orë pasi ishin rrëmbyer në Tiranë. Policia e identifikoi banesën ku u mbajtën vajzat dhe pas arrestimit të rrëmbyesve dje, është ushtruar kontroll në këtë banesë. Gjatë kohës që janë mbajtur aty, vajzave u ishin prerë flokët dhe u ishin hequr vetullat me qëllim që të mos kuptohej identiteti i tyre pas daljes nga Shqipëria dhe lëvizjes në destinacion.
Hetimi
Veprimet e para hetimore kanë nisur menjëherë pasi të afërmit e vajzave kanë kuptuar se diçka nuk shkonte me tri të miturat. Më pas është bërë denoncimi në polici ndërsa agjentët e rendit kanë nisur hetimin mbi ngjarjen. Me anë të veprimeve tekniko-operative është arritur të identifikohen personat që kishin rrëmbyer vajzat dhe më pas të bëhet lokalizimi dhe ndjekja e veprimeve të tyre. Pas këtyre veprimeve hetimore, policia ka filluar ndjekjen e veprimeve që po kryenin rrëmbyesit duke organizuar arrestimin e tyre në afërsi të Lezhës, ku u gjetën edhe tri vajzat e rrëmbyera.

Vajzat dëshmojnë me psikologë
TIRANE – Tri vajzat e rrëmbyera të enjten në afërsi të shkollës 9-vjeçare në zonën e Xhamllikut në Tiranë, janë marrë në pyetje dje me praninë e prindërve dhe psikologëve. Grupi i hetimit ka zbardhur nga dëshmitë e vajzave, gjithë itinerarin që ato kanë ndjekur pasi u rrëmbyen dhe u dërguan forcërisht në Durrës ku janë mbajtur në një banesë. Disa prej të afërmve të vajzave kanë pretenduar gjatë deklarimeve të tyre në polici se ngjarja ka qenë një veprim i gabuar i vajzave të cilat janë nisur të treja së bashku për në Lezhë, tek një i afërm i tyre megjithëse sipas hetuesve nuk ka prova që e mbështesin një variant të tillë të ngjarjes. Grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë tha se është duke hetuar rrethanat e ngjarjes me qëllim që të vendosë më tej se si do të procedohet me personat e ndaluar për rrëmbimin e tri vajzave tek shkolla 9-vjeçare në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Të ndaluarit mund të ndiqen në gjendje të lirë nëse qëllimet e tyre kriminale nuk provohen por në rast të kundërt ata rrezikojnë burgimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›