Vrasja e biznesmenit, hetim ndërtimeve
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Ekzekutimi i biznesmenit 41-vjeçar Astrit Meshnuni ka tronditur banorët e Shkodrës. Misteri që ka rrethuar vrasjen, e realizuar nga autorët në sy të familjes së viktimës, ka sjellë më tepër panik, duke u cilësuar si një ndër krimet më të rënda të viteve të fundit.
Prej mbrëmjes së të premtes, e shoqja e viktimës, ndodhet në gjendje shoku dhe nuk ka arritur të japë dëshmi të hollësishme për policinë. I vetmi element që policia ka mundur të sigurojë nga autori i dyshuar është një dëshmi e bërë nga banorët e zonës, pranë lagjes “Perash”, ku ndodhi krimi. Sipas tyre, në atë orë të vonë kur ndodhi vrasja, kanë parë një person të shkurtër e të shëndoshë që vraponte nëpër rrugicë. Kjo indicie e vetme ka bërë që policia të ushtrojë kontrolle të imtësishme në zonën përreth, duke vepruar dhe me qen gjurmues. Por, deri në mbrëmjen e djeshme nuk kishte asnjë shenjë të autorit të mundshëm. Policia e Shkodrës ka shoqëruar në ambientet e saj mbi 25 persona, të cilët janë marrë në pyetje për të hedhur dritë mbi ndonjë problem të biznesmenit Meshnuni kohët e fundit. Megjithatë, motivet nuk janë mundur të zbardhen. Menjëherë sapo u njoftuan për krimin, grupi hetimor ngriti pistën e një vrasjeje për konflikt pronësie, por kjo u hodh poshtë paraprakisht. Dëshmitë e të afërmve dhe personave që kanë pasur lidhje me 41-vjeçarin kanë pohuar se ai, nuk kishte ndonjë konflikt të tillë dhe as nuk kishin dëgjuar për ndonjë përplasje me persona të tjerë, që ata të kishin dijeni. Meshnuni njihej si një prej ndërtuesve të pallateve dhe pronarëve të mëdhenj të lokaleve në qytetin e Shkodrës. Ai ka ndërtuar disa pallate në këtë qytet, një nga komplekset më të mëdha tregtare me mbi 50 ambiente shitjeje, (duke e emërtuar “Bexhisten” në kujtim të pazarit të Shkodrës), si dhe kishte marrë me qira lokalin që ndodhet në ambientet e brendshme të kalasë “Rozafa”. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se po hetojnë në lidhje me mosmarrëveshje për shkak të punës së Meshnunit, në biznesin e tij të ndërtimit. Edhe pse nuk ka ende prova, planifikimi i vrasjes, në një pritë pranë shtëpisë, klasifikohet si e tipit mafioz. Këtij fakti i shtohet dhe ai që vrasësi ndodhej pa maskë, çka do të thotë se viktima nuk e ka njohur. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë ngatërrese të ditëve të fundit, e cila mund të mos ketë lidhje me biznesin e tij. Por, në mungesë të provave, hetimi mbetet ende në fazën e dyshimeve.
Gjatë gjithë paradites së djeshme, në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit shërbime policore kanë kontrolluar automjetet dhe personat që udhëtonin në to.
Në një javë, tre ngjarje të rënda
Pas vrasjes së 17-vjeçarit Eduard Thana, vënies së lëndëve plasëse në banesën e avokatit Gjon Lepuri, vrasja e biznesmenit të ndërtimit, Astrit Meshnuni, shënon ngjarjen më të rëndë të ndodhur vetëm brenda një jave. Por, ndërsa e para u arrit të zbardhej me shpejtësi, për dy të fundit hetimet janë shumë larg identifikimit të autorëve dhe zbardhjes së motiveve.