BE: Pa dialog politik, integrimi është një biçikletë pa rrota
Brukseli i kërkon sërish klasës politike në Shqipëri që të bëjë përpjekjet maksimale për rivendosjen e dialogut politik në vend. Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, deklaroi dje sot Bashkimi Europian është shumë i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka është në duart e vetë shqiptarëve. “Ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj, dhe kjo është përgjegjësia juaj”, tha ambasadori Sequi. I pranishëm në një takim me studentë, diplomati europian konstatoi se Shqipëria nevojitet të ketë më shumë besim te vetja. “Kur dikush nuk beson te vetja, as të tjerët nuk besojnë tek ai. Komisioneri Fule ka thënë se nuk është ai që po kërkon të anëtarësohet në BE, sepse ai tashmë është anëtar. Pa vullnet politik, pa dialog politik, procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg”, vlerësoi Sequi. Ai insistoi në logjikën e tij se BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, tha ai, përgjegjësia juaj, BE mund të japë disa arsye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj. “Plotësimet e kushteve për anëtarësimin në BE janë të vështira. Shpesh në vendin tuaj gazetarët më pyesin se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE. Nuk dihet se kur mund të ndodhë integrimi i vendit tuaj. Do të duhet kohë, por që nuk mund të përcaktohet se sa do të jetë. Në fillim duhet që të plotësohen kushtet dhe procedurat dhe pas kësaj mund të kemi një afat. Integrimi në BE është një proces mjaft kompleks. Përfshirja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të sjellë mjaft përfitime, si në aspektin social dhe në atë ekonomik”, insistoi ambasadori Sequi. Ditën e sotme pritet që kreu i prezencës së Komisionit Europian në Tiranë dhe Ambasadori i Hungarisë, vendi që mbyll presidencën e radhës së Bashkimit Europian, do të analizojnë ecurinë e këtij gjashtë mujori. Më 1 korrik nis zyrtarisht presidenca polake e Bashkimit Europian, e cila do të zgjasë deri në përfundim të këtij viti. Në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së është theksuar pak ditë më parë se rikthimi i dialogut politik është kusht thelbësor për ecurinë e mëtejshme, në kuadër të integrimit europian. Sakaq, ngjarja më e rëndësishme që pritet për këtë vit, dhe njëkohësisht që përkon me presidencën polake, është publikimi prej Komisionit Europian të progres raportit vjetor për Shqipërinë. Ndonëse ishte menduar se mund të përfitonim statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian gjasat tregojnë se mund të kemi një tjetër përgjigje negative për të dytin vit rresht dhe kjo për shkak të vullnetit politik.