E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paqe dhe bashkëpunim mes Palestinës dhe Izraelit”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman. Izraeli vlerësoi marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë për lidhjet dhe mbështetjen tradicionale të shqiptarëve ndaj komunitetit hebre. Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy qeverive dhe vendeve, për t’i thelluar e konsoliduar më tej marrëdhëniet shumë të mira politike, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin ekonomik e të gjithanshëm, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve. Një tjetër temë diskutimi ishte ajo e zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në rajonin e Lindjes së Mesme. Kryeministri Berisha e siguroi zv/kryeministrin, Avigdor Lieberman, se Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqishëm zgjidhjen e mbështetur dhe nga komuniteti ndërkombëtar për dy shtete, të cilët të jetojnë në paqe të qëndrueshme mes njëri – tjetrit dhe në siguri. Berisha u shpreh se Shqipëria ndjek me vëmendje të gjitha përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, duke shpresuar që ky proces të vazhdojë në interesin më të mirë të të dy popujve, izraelit dhe atij palestinez, si dhe paqes, sigurisë e bashkëpunimit në këtë rajon. Sakaq, Kryeministri e garantoi zotin Lieberman se investitorët izraelitë do të kenë në Shqipëri mbështetjen e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›