E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Pas rezultatit përfundimtar, të garantohet qeveri që të respektojë vullnetin e popullit

Zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Cristina Gallack ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri si pozitiv. Megjithatë ajo theksoi faktin se BE do të pres edhe pak më shumë për të pasur një vlerësim të përgjithshëm, duke shtuar se udhëheqja e mori këtë proces zgjedhor shumë seriozisht. Sipas saj udhëheqja duhet të jetë e hapur dhe duhet të garantojë që pasi të numërohen votat të krijohet një qeveri që të funksionojë, që të respektojë vullnetin e popullit dhe që të ketë një përparësi të qartë, atë të përparimit drejt Bashkimit Evropian. Nëpërmjet një interviste ajo ka theksuar se Brukseli vlerëson zgjedhjet e së dielës dhe pret që pasi të numërohen votat, të krijohet një qeveri që të funksionojë. Mendoj se për Shqipërinë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme dhe ne jemi të kënaqur se udhëheqja i mori ato shumë seriozisht, organizimi dhe fakti që vëzhgimi po nxjerr vlerësime pozitive deri tani. Pra, së pari, ne duhet të urojmë popullsinë e vendit për angazhimin në një proces që ne dëshironim që të ishte i drejtë dhe transparent, që ne mendojmë se ashtu ishte. Megjithatë ne do të presim edhe pak më shumë për të pasur një vlerësim të përgjithshëm. Ne e kuptojmë dhe e vumë re se udhëheqja e mori këtë proces zgjedhor shumë seriozisht, nënvizoi ajo. Mesazhi i BE për të gjithë klasën politike është gjithnjë se zgjedhjet janë një moment për të qenë pozitiv, sepse është populli që shpreh dëshirat individuale dhe pozicionet individuale. Prandaj, sipas Gallack udhëheqja duhet të jetë e hapur, duhet të garantojë që pasi të numërohen votat të krijohet një qeveri që të funksionojë, që të respektojë vullnetin e popullit dhe që të ketë një përparësi të qartë, atë të përparimit drejt Bashkimit Evropian. Dhe kjo përparësi është shumë e rëndësishme sepse ne mendojmë se ajo duhet të ndërtohet mbi zbatimin e reformave përfshirë çdo gjë që lidhet me kapacitetin administrativ. Reformat ekonomike dhe politike, mendoj unë, do të jenë gjerat më të rëndësishme që qeveria e re do të duhet të prodhojë, vijoi zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së. Në këtë drejtim ajo shtoi se BE do të dëshironte shumë që të gjitha aspektet që misioni vëzhgues i ODIHR-it po vë në dukje të merren në shqyrtim, dhe ndoshta pas kësaj BE do të mund të bëjnë komente më të qarta. Sepse sipas saj, në këtë moment nuk mund të kenë një verdikt, por ajo ka shtuar faktin se mirëpret përmirësimin e përgjithshëm që është arritur në zgjedhjet që u zhvilluan të dielën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›