E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëdhënësi i OSBE/ODIH: Shqipëri ka një sërë çështjesh që duhet të përballojë

Eschenbacher rekomandon për vendin tonë përmbushjen e zotimeve si një vend anëtar i OSBE
Zëdhënësi i OSBE/ODIHR, Jens-Hagen Eschenbacher ka komentuar me detaje raportin paraprak që publikoi misioni i vëzhguesve në Shqipëri, për zgjedhjet parlamentare, duke veçuar faktin se këto vlerësime janë bërë në bazë të gjykimit të procesit zgjedhor, si një i tërë. Sipas tij, ka një sërë çështjesh që duhet të përballohen në të ardhmen që Shqipëria, të përmbushë plotësisht zotimet që ajo ka marrë si një vend anëtar i OSBE-së. Ai u ndal edhe tek mangësitë dhe aspektet negative që u përmendën në këtë raport. Ka pasur raste të presionit ndaj votuesve, të shfrytëzimit të ngjarjeve zyrtare për fushatë elektorale, të votimit familjar, që mund të jetë një argument i kompromentimit të së drejtës për të votuar, për ata qytetarë, që nuk mundën të votonin për atë forcë politike që dëshironin t'i jepnin votën e tyre, sepse dikush tjetër e kishte bërë këtë, theksoi ai. Nëpërmjet një interviste dhënë për DW, Eschenbacher theksoi se standardet në zgjedhjet e 28 qershorit, janë plotësuar pjesërisht. Sipas tij, ka pasur progres në disa aspekte, por ka ende çështje shqetësuese si p.sh. ato lidhur me politizimin e organizimit të zgjedhjeve apo marrjen e vendimeve për aspekte teknike të zgjedhjeve në mënyrë partiake, me polarizimin ekstrem të fushatës nga dy forcat politike kryesore. Dhe të gjitha këto kanë sjellë mungesën e besimit të publikut në procesin elektoral. Pati pak besim mes aktorëve politikë ndaj njëritjetrit, nga njëra anë dhe votuesve dhe sistemit zgjedhor nga ana tjetër. Është përgjegjësi e partive politike, e aktorëve të tjerë në procesin zgjedhor që të bashkëpunojnë për ta kapërcyer mosbesimin, për të krijuar besimin mes  tyre, besimin e votuesve tek sistemi, vijoi ai. Duke u ndaluar tek parimet bazë që Shqipëria nuk arriti t'i respektojë në zgjedhjet e tanishme parlamentare, zëdhënësi i OSBE/ODIHR veçoi faktin se zgjedhjet duhet të jenë të lira, pjesëmarrësit në procesin elektoral duhet të jenë të lirë të bëjnë fushatë, votuesit duhet të kenë mundësinë për t'u informuar lirisht për partitë politike, media duhet  të jetë e lirë të informojë për fushatën, në mënyrë të ndershme. Ndër të tjera ai shtoi se zgjedhjet duhet t'u sigurojnë partive apo kandidatëve për deputetë mundësi të barabarta për të bërë fushatë. Ato duhet të jenë transparente, që do të thotë, që votuesve duhet t'u jepet mundësia të shikojnë fazat e ndryshme të nxjerrjes së rezultateve përfundimtare. Dhe nëse ka probleme apo ankesa ato duhet të shqyrtohen në mënyrë që problemet të zgjidhen. Këtë fakt, Eschenbacher e lidhe me administrimin e zgjedhjeve dhe sistemin gjyqësor, që në rast se dalin probleme, ato të adresohen shpejt. Por, siipas tij, gjatë ditës së votimeve në Shqipëri ka pasur përmirësime të qarta tek lista e verifikimit të zgjedhësve apo procesi i identifikimit të votuesve me përdorimin e kartave të identitetit, gjë që përbën një rekomandim të bërë prej kohësh nga OSBE, tanimë të plotësuar dhe që është mirëpritur. Në këtë kontekst, zëdhënësi i OSBE/ODIHR vlerësoi se këto përmirësime kanë kontribuar për të ulur mundësitë e abuzimeve dhe kanë rritur aftësinë e votuesve për të marrë pjesë në votime. Ndërkohë, Eschenbacher ka ngurruar të bëjë një vlerësim të përgjithshëm për zgjedhjet, në këtë fazë të procesit. Është metodologjia jonë, parimi ynë që duhet parë gjithë procesi për të arritur në konkluzione. Dihet tanimë sesa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Shqipërinë, të ardhmen e saj, për komunitetin ndërkombëtar sesi OSBE/ODHIR i vlerëson ato. Sapo procesi zgjedhor të përfundojë, pasi të dalin rezultatet e numërimit të votave do të publikojmë një raport përfundimtar bashkë me rekomandime konkrete për autoritetet, partitë politike, median, administratën zgjedhore për përmirësuar më tej procesin zgjedhor, shtoi ai. Krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ato të korrikut 2005, zgjedhjet e tanishme, zëdhënësi i OSBR/ODIHR e ka parë si të parakohshme kohën për të bërë një krahasim të tillë, duke veçuar si tepër të rëndësishëm numërimin e votave, i cili ende nuk kishte përfunduar. Por, gjithsesi ai theksoi se janë hedhur hapa të rëndësishme përpara në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme, hapa që kanë kontribuar në përmirësimin e procesit zgjedhor si një i tërë.
Last Updated on Tuesday, 30 June 2009 23:35

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›