E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e rajonit, pasqyrojnë situatën paszgjedhore në Shqipëri

Një hapësirë të konsiderueshme i kanë kushtuar zgjedhjeve në Shqipëri edhe mediat e rajonit. Sipas të përditshmes Dnevnik, Evropa i shikon zgjedhjet e shtata parlamentare në Shqipëri si një test të pjekurisë demokratike dhe përgatitjes së saj për të hyrë në Bashkimin Evropian. Po ashtu, kjo e përditshme shkruan se për sigurimin e qytetarëve nëpër vendvotime u angazhuan gjithsej 5.500 pjesëtarë të policisë. Vetëm në Tiranë, ku ndodhet numri më i madh i vendvotimeve, u angazhuan mbi 1.200. Ndërkaq kanali televiziv A1, duke iu referuar deklaratave të vëzhguesve të huaj vlerëson se megjithëse janë detektuar parregullsi të caktuara, vlerësimi i parë është se zgjedhjet u zhvilluan sipas modelit evropian. Ndërsa media serbe dhe malazeze për zgjedhjet përshkruan me pak fjalë situatën e zgjedhjeve. Radiotelevizioni B92 citon kryetarin e PD-së, Sali Berisha, se në këto zgjedhje nuk ka të mundur, por vetëm fitimtarë. Nga prononcimi i kreut të socialistëve, vlerësimi i tij se në zgjedhjet e së dielës qytetarët e Shqipërisë vendosën për historinë e tyre. Po ashtu, B92 thotë se sipas anketave të pavarura rezulton se në këto zgjedhje parlamentare shumicën e votave e ka fituar partia e kryeministrit Berisha.
Edhe televizioni shtetëror i Malit të Zi ka mbuluar gjerësisht zgjedhjet shqiptare. Gjithashtu, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri që u mbajtën të dielën, janë komentuar edhe nga subjektet më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni, të cilët janë shprehur se ato duhet të jenë si një model për gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët përreth shtetit shqiptarë dhe se këto zgjedhje pavarësisht fituesit do të jenë shumë të rëndësishme për integrimin e vendit për në BE dhe zhvillimeve të ndryshme. Zëdhënësi i PDSH-së Adriatik Imeri me këtë rast ka theksuar se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian jo vetëm që plotësoi të gjitha standardet demokratike evropiane, por edhe një herë ju tregoi të gjithë skeptikëve dhe armiqëve të Shqipërisë se shqiptarët janë popull me virtyte demokratike, se dinë të kultivojnë demokracinë dhe dinë të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike.  Në këta momente historike për Shqipërinë nuk është aq me rëndësi rezultati i zgjedhjeve, por me rëndësi është se fituan standardet dhe mbi të gjitha fituan shqiptarët, ka deklaruar Imeri. Nënkryetari i BDI-së Rafiz Haliti e ka quajtur këtë si një fitore e gjithë shqiptarëve.  Ai ka uruar gjithë subjekteve politike shqiptarëve për një kulturë zgjedhore, e cila na bën pjesë e shteteve të përparuara si SHBA, BE-së dhe kjo është një fitore shumë e madhe për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria në këto zgjedhje shumë demokratike e trason rrugën drejt BE-së për gjithë shqiptarët që gjinden në shtetet përreth Shqipërisë. Edhe subjektet e tjera politike kanë uruar fitoren e demokracisë, për shkak të një procesi të rregullt dhe demokratik zgjedhor në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›