E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri suedez Bildt jep vlerësim pozitiv për zgjedhjet

Ministri i Jashtëm i Suedisë Karl Bildt, vendi i të cilit merr drejtimin e Bashkimit Evropian nga dita e sotme, ka thënë se duhet bërë vlerësimi i ecurisë së zgjedhjeve para se të ecet më tutje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përsa i përket raportit paraprak të publikuar nga OSBE/ODIHR, për arritjen e standardeve nga Shqipëri, ai theksoi se është informuar nga titujt e gazetave, që sipas tij dukej një vlerësim goxha pozitiv. Megjithatë më duhet të lexoj hollësitë e tij para se të mund të gjykojmë se si të procedojmë në lidhje me atë që vërtetë është më shumë një lloj formaliteti kur është fjala për aplikimin e Shqipërisë, nënvizoi Bildt. Ndër të tjera ai shtoi se në një moment të caktuar kohor do ti dërgohet (aplikimi) Komisionit që të përgatisë opinionin ('avis'). Në këtë kontekst ai ka përmendur rastin e Malit të Zi, duke theksuar se iu desh një kohë e gjatë. Edhe me Shqipërinë do të marrë ca kohë, por natyrisht kjo do të ndodhë në një mënyrë apo në ndonjë tjetër, por na duhet të bëjmë vlerësimin e asaj çfarë kanë për të thënë vëzhguesit ndërkombëtarë përsa i përket zgjedhjeve, nënvizoi ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›