E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja: LSI, rol qendror për krijimin e qeverisë

Mediat ndërkombëtare janë përqendruar edhe sot në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Kësaj here, një pjesë e mirë e shkrimeve citonin deklaratën e vëzhguesve të OSBE-ODIHR për cilësinë e këtyre votimeve. Të përditshmet e huaja theksuan qetësinë që i karakterizoi shqiptarët gjatë ditës së votimit, por nuk lihet pa u përmendur deklarata e vëzhguesve, të cilët shprehen me rezerva për standardet. Një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve, në veçanti media britanike u ka kushtuar një vëmendje të theksuar zgjedhjeve parlamentare. Mediat ndërkombëtare e kanë pasqyruar gjerësisht zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, ku ndër të tjera kanë theksuar qetësinë që i karakterizoi shqiptarët gjatë ditës së votimit, por nuk lihet pa përmendur deklarata e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR së bashku me Këshillin e Europës dhe NATO-s të cilët u shprehën me rezerva për cilësinë e procesit elektoral, ndërsa i mëshohet faktit se u vunë re parregullsi. Kështu gazeta Amerikane Washington Post, shkruante pasdite se Shqipëria ishte nën presionin ndërkombëtar për të zhvilluar zgjedhje të konsideruara si të lira dhe të ndershme, pas problemeve dhe kontestimeve me të cilat ishin përballuar zgjedhjet në të kaluarën, por sipas kësaj gazete që citon vëzhguesit ndërkombëtar kanë vënë re shkelje procedurale lidhur me bojën dhe votimet familjare. Në faqet për zhvillimet nga bota, e përditshmja The Times i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme vendit tonë, ku në një artikull me titullin Shqiptarët votojnë me një rezultat të ngushtë, shkruhet se shqiptarët votuan në zgjedhjet e përgjithshme, që shihen me rëndësi kyçe për aspiratat e vendit për anëtarësim në BE. Më tej në faqen e saj thuhet se vrojtimet e para me zgjedhësit pas votimit treguan se dy rivalët kryesorë, Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe Partia Socialiste janë pranë njëra-tjetrës në rezultat. Zgjedhjet vijnë gati tre muaj pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kërkesës së saj për t'iu bashkuar BE-së. Një tjetër e përditshme britanike, The Financial Times në faqet e saj ka një lajm me titullin Demokratët udhëheqin në sondazhin pas votimit. Korrespondenti i gazetës në Tiranë shkruan se, sipas exit poll-eve Partia Demokratike në pushtet kryeson me katër pikë ndaj opozitës socialiste. Ndër të tjera, në faqet e saj thuhet se një rezultat i tillë eventual, nuk do t'u jepte një shumicë fituese demokrateve të qendrës së djathtë, kështu që Partia më e vogël, LSI, e cila del mjaft më poshtë në sondazhe, mund të luajë një rol qendror për krijimin e qeverisë. Një tjetër e përditshme, The Daily Telegraph në faqen e saj të internetit shfaqte një një shkrim me titullin Zgjedhjet paqësore ndihmojnë ambiciet e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Gazeta u referohet tre vrojtimeve të kryera me zgjedhësit pas votimit (vrojtime që njihen si exit polls), në të cilat kryeson partia e kryeministrit Sali Berisha. Ndër të tjera, ajo veçonte dhe vonesat e shënuara në disa qendra votimi si dhe radhët e gjata të njerëzve që prisnin për të votuar, ndërsa nga ana tjetër kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha se zgjedhjet janë zhvilluar pa incidente. Zgjedhjet parlamentare shihen si një test për demokracinë për të provuar se ky vend ballkanik është gati për anëtarësimin në BE. Gjithashtu, The Daily Telegraph, shkruan se ishte nën presionin ndërkombëtar për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira e të drejta, ndryshe nga njoftimet për mashtrime që ka pasur në zgjedhjet e mëparshme. Gazeta kujton se Shqipëria u anëtarësua në NATO me 1 Prill dhe kërkon t'i bashkohet familjes 27 anëtarëshe të Bashkimit Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›