BE: Po presim tryezën Berisha-Rama
Ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, reagon pas rritjes së tensioneve politike në vend
Sfida juaj është të zgjidhni krizën
Kryediplomati i Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, i ka lëshuar dje një mesazh direkt kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës, pas një tërheqjeje nga pozicionet që afruan shpresat për kompromis. Ambasadori i Spanjës, ka deklaruar dje se “Bashkimi Europian është në pritje të marrëveshjes që do të zgjidhte ngërçin politik në vend. Sfida juaj është që Shqipëria të gjejë zgjidhjen më të mirë, BE është në pritje që ju të krijoni atë lidhje të domosdoshme me Europën”. Duke përmendur konkretisht çështjen e zgjedhjeve, Montobio deklaroi se zgjedhjet quhen të rregullta jo vetëm në procesin e nxjerrjes së rezultatit, por edhe gjatë fushatës zgjedhore. I gjithë ky proces duhet të jetë në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare. Ky ka qenë vetëm masazhi direkt për liderin në lidhje me kompromisin politik tashmë të kërkuar nga Europa, por ambasadori i vendit që ka mban presidencën e radhës në Bashkimin Europian, ka lëshuar mesazhe edhe më të forta për sa i përket aspiratave të Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj për t’u anëtarësuar në BE. Duke shpjeguar ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, ambasadori Montobio tha se “para se të bëheni shtet anëtar i Bashkimit Europian duhet që në radhë të parë të bëheni një shtet real që funksionon sipas të gjitha standardeve europiane”. Diplomati spanjoll ka përdorur një metaforë të marrë nga elektriciteti, meqë Shqipëria është edhe vend problematik në këtë fushë, për ta sqaruar më mirë pozitën e Shqipërisë në lidhje me Europën. Montobio shpjegoi se Shqipëria për të arritur të bëjë lidhjet e interkonjeksionit me Europën në radhë të parë duhet të jetë në rregull me kabllot e brendshme që furnizojnë vendin me energji. Më pas ambasadori spanjoll ka shpjeguar me hollësi axhendën që do të drejtojë qeveria spanjolle në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE. Kështu, javën e ardhshme mbërrin grupi i parë i Komisionit Europian për të verifikuar zbatimi e kushteve për liberalizimin e vizave. Në fund të muajit vjen në Tiranë grupi i dytë. Ndërkaq, në mars do të mblidhet Komiteti për Asocim-Stabilizimin që do të shqyrtojë zbatimin e kushteve të vëna nga Brukseli për qeverinë shqiptare. Ky komitet do të përgatitë takimin e Këshillit të Asocim-Stabilizimit që do të mblidhet në maj në Bruksel. Në këtë takim Shqipëria do të “hyjë në sitë”, pasi në këtë kohë do të jenë përfunduar opinionet e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat dhe atë të liberalizimit të vizave. Në takimin e Këshillit të Asocim-Stabilizimit do të tregohet tendenca e konkluzioneve të opinioneve të komisionit. Pas këtij takimi Këshilli i BE-së, që përbëhet nga krerët e shteteve apo ministrat e Jashtëm do të vendosin nëse do t’ia japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat apo liberalizimin e vizave. Ambasadori spanjoll, Montobio, ka qenë shumë i qartë që nuk do të merrni asnjë vendim pozitiv nëse vazhdon e njëjta situatë. Ka përmendur si shtyllat që duhet të zbatojnë standardet: zgjedhjet, administrata, lufta ndaj krimit, korrupsionit, por edhe pa dyshim gjyqësori, i cili sipas ambasadorit kryesor të BE-së në Tiranë pret reformën që varet nga marrëveshja politike.
#