E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Shpërthimi nga karroca e Qemal Deliut

Procesi
Haxhi Hoxha: Gjithçka u shkrumbua pas saldimit të karrocës. Në fabrikë edhe shtetas maqedonas

Një nga dëshmitarët e thirrur dje nga akuza për zbardhjen e tragjedisë ka treguar se shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit 2008 ndodhi si pasojë se saldimit të një karroce nga i ndjeri Qemal Deliu. Haxhi Hoxha, një nga ish-punonjësit e fabrikës së Gërdecit mbrojti tezën e akuzës sipas së cilës shpërthimi ishte nga saldimi i karrocës. “Karroca mori flakë sapo ra në kontakt me barutin, në një kohë që brenda saj nuk ishte hedhur ende barut”, tha Hoxha, duke shtuar se ka punuar për të demontuar municione në Gërdec dhe se ditën e ngjarjes ka parë të ndjerin Qemali Deliu teksa shkoi në shtëpi për të salduar një karrocë. “Pasi është kthyer Qemali në fabrikë, ndodhi edhe shpërthimi”, tregoi Hoxha.
Dëshmitari i parë ka qenë Qani Aliu. Ai tha se banonte rreth 600-700 metra larg fabrikës së Gërdecit. I pyetur nga prokuroria, Aliu shpjegoi mënyrën e punës në fabrikë. Tha se ka punuar gjatë çmontimit të fishekëve, ndërsa i kishte bërë instruktim edhe brigadieri i fabrikës, Veis Muço, i njohur me pseudonimin “Vangjeli”. Dëshmitari vazhdoi duke pohuar se rroga e tij ishte 45 mijë lekë të reja në muaj dhe kishte parë disa persona të mitur në fabrikë. I pyetur nga prokuroria për personat e huaj tha se kishte parë disa shtetas maqedonas në shoqërinë e Mihal Delijogjit. Në fund tregoi edhe se pranë makinerive të demontimit të municioneve kishte rënë zjarr edhe më parë, i cili ishte shuar. Për këtë ngjarje kishin ardhur edhe një punonjës policie që kishte komunikuar me drejtorin e fabrikës, Dritan Minxolli. Dëshmitari i dytë ka qenë Lulzim Zguri. Ai tha se merrte 25 mijë lekë të vjetra në ditë dhe kishte punuar deri ditën e shpërthimit. Puna e tij ishte shkarkimi i automjeteve që dërgonin municion në fabrikë. Ai tha se çdo ditë në mëngjes, brigadieri dhe drejtori Minxolli i rreshtonin duke i instruktuar për sigurinë, teksa i paralajmëronin për rrezikun që u kanosej nëse nuk zbatonin kriteret e punës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›