BE: Prishtina e Beogradi të përgatiten për bisedime

Maja Kocijançiç / Foto arkiv
Bashkimi Europian shprehet se do të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të qeverisë së re në Beograd.
Por, paraprakisht, Brukselit do ti nevojitet një fazë konsultative me palët, rreth vazhdimit të bisedimeve.
Çështja kryesore që pritet të përcaktohet është nëse dialogu do të vazhdojë të cilësohet si teknik, apo do të përfshijë në vete edhe çështjen e veriut.
Aktualisht, të dyja palët e përfshira tregohen të rezervuara duke pritur formimin e qeverisë së re në Beograd.
Në anën tjetër, Maja Kociançiç, zëdhënëse e shefes së diplomacisë europiane, Kethrin Eshton, thotë se Brukseli ua ka bërë të qartë palëve se dialogu do të vazhdojë.
Tani presim që të formohet shpejt qeveria e re në Beograd, dhe më pas do të konsultohemi me të dyja palët se kur dhe si do të procedojmë, por ne e kemi bërë të qartë se dialogu është në interesin e të dyja palëve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.
Ato janë çështje praktike që kërkojnë zgjidhje dhe ne do të punojmë mbi këto baza. Ne presim që dialogu do të vazhdojë. E po ashtu, ka çështje që duhet adresuar, siç është ajo e zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura, ka thënë Kociançiç.
Këmbëngulja e Brukselit për vazhdimin e dialogut, nuk është duke u pritur me entuziazëm as nga Prishtina, dhe as nga Beogradi. / Kosova.com