E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, arrestohet, kërcënoi familjen

Arrestim, foto arkiv

Policia e Tepelenës ka arrestuar shtetasin Agron Shema pasi kërcënonte se do të vriste gruan dhe fëmijën e tij 7 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Qesorat të Tepelenës, pasi Agron Shema akuzohet për kërcënim dhe për armëmbajtje pa leje.

Mësohet se Shema prej disa kohësh ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij dhe për këtë gjë, kjo e fundit është larguar nga banesa së bashku me fëmijën e saj 7 vjeç.

Agron Shema në gjendje depresive, ka kërcënuar edhe nënën dhe vëllain se do t`i vriste po të mos largoheshin nga banesa e tij.

Pas njoftimit forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje.

Po ashtu, Shema ka kërcënuar dhe forcat e policisë se do t`i vriste po t`i afroheshin banesës së tij.

Në këtë situatë, banesa është mbajtur e rrethuar nga ana e policisë dhe në mëngjesin e sotëm, forcat e policisë i kanë bërë thirrje atij të dorëzohej. Kërcënimi nga ana e Shemes ka vazhduar sërish ndaj forcave të policisë. Në këtë moment, dy punonjës policie kanë hyrë nga pjesa e pasme në banesë dhe e kanë arrestuar Shemen, duke neutralizuar dhe përdorimin e armës.

Atij ju sekuestrua një automatik mbi krevatin që flinte së bashkë me një karikatorë me 30 fishekë. Nga kontrolli i ushtruar më tej në banesën e tij, rezultoi se në tavanin e shtëpisë u gjet edhe një armë tjetër kallashnikov me 5 kërhëra fishekë me 115 fishekë. Po ashtu në banesë u gjet edhe një armë gjahu, të cilën e mbante me leje .

Policia njofton se bashkëshortja e shtetasi Agron Shema së bashku me fëmijën e saj u rikthyen në banesë pas arrestimit në flagrancë të tij nga policia. /Entela Bani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›