E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Ekonomia u ngadalësua në tremujorin e fundit

Ardian Fullani / Foto arkiv

Në 3-mujorin e fundit, ekonomia shqiptare shfaqi shenja ngadalësimi, të cilat u vërejtën në rënien e investimeve dhe kërkesën e brendshme.

Në një konferencë për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se, në 3-mujorin e fundit u vu re një rritje ekonomike nën potencialet e pritshme.

Ekonomia shfaqi shenja ngadalësimi. Kërkesa konsumatore është e dobët dhe nën kapacitete. Ka ngadalësim të ritmit të investimeve. Gjithashtu, shqetësuese është edhe rritja e ngadalshme e eksporteve,- tha Fullani.

Edhe parashikimet duket se nuk janë shumë optimiste. Banka e Shqipërisë parashikon që rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë nën presionet inflacioniste.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë lë të pandryshuar normën bazë të interesit. Guvernatori Ardian Fullani, bëri të ditur se, norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në nivelin 4.25%.

Norma bazë e pandryshuar në 4,25%, reflekton opinionin e Këshillit se kushtet janë të përshtatshme për inflacionin në një periudhë afatmesme. Këshilli e la normën bazë në nivelin e saj më të ulët historik, në mbështetje të kërkesës agregate dhe rritjes ekonomike në vend dhe reflekton pasigurinë e shtuar që vjen nga ambienti i jashtëm dhe nga zhvillimet në Greqi,- tha Fullani për mediat. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›