E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Projekti i vizave nuk dëmtohet, por opozita e Ramës po dëmton imazhin e vendin

Këshilli i Stabilizim-Asociimit në Bruksel ka vlerësuar reformat e qeverisë “Berisha” dhe ka premtuar marrjen e shpejtë të vendimit për heqjen e vizave. Zv/kryeministri Ilir Meta premton bashkëpunim me opozitën, por institucionet evropiane i bëjnë thirrje kësaj të fundit t’u kthehet parlamentit dhe institucioneve

Dje në Bruksel u mblodh Këshilli i dytë i Stabilizim Asociimit mes BE dhe Shqipërisë. Takim i drejtuar nga Sekretari spanjoll i Shtetit për çështjet europiane, Diego López Garrido, në prezencë dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Komisionit Europian, Stefan Fule dhe njëherazi edhe të zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u dominua me diskutime, lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe aspiratat e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në panelin e diskutimit, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian si Garrido, Fule dhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta, cekën progresin e Shqipërisë në fushat më të rëndësishme dhe vlerësuan si moment kyç për anëtarësimin e Shqipërisë, formulimin e opinionit për statusin kandidat në BE. Gjithashtu, Garrido dhe Fule, iu referuan edhe situatës politike, duke shtuar se protestat dhe greva e urisë, është një shenjë e keqe për Shqipërinë dhe aspiratat e saj të integrimit.
Në përfundim zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pohuan se Shqipëria ka shënuar progres të prekshëm. Sipas tyre, statusi kandidat do të jepet pas përfundimit të opinionit nga ana e Komisionit Evropian. Lidhur me liberalizimin e vizave, Brukseli thotë se Shqipëria ka bërë një punë të mirë në realizimin e kritereve të udhërrëfyesit, ndërsa garanton se shumë shpejt do jepet vendimi për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

Deklarojnë zyrtarët e lartë të Brukselit, Garrido-Fule: Dialog kontruktiv mes palëve- zgjidhja vetëm në parlament

“Dialogu konstruktiv mes palëve, është kyçi i zgjidhjes së ngërçit politik”. Kështu u shprehën dje përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, përkatësisht, ai i Presidencës spanjolle Diego Lopez Garrido dhe kryekomisioneri për zgjerim Stefan Fule, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Garrido dhe Fule deklaruan me vendosmëri se Kuvendi është vendi ku bëhet dialogu politik. Sipas tyre, opozita duke marrë pjesë në Kuvend, zgjidhen edhe problemet e evidentuara gjatë kësaj kohe. “I takon klasës politike dhe Shqipërisë të tregojë pjekuri dhe besoj se të gjitha instrumentet ekzistojnë në mënyrë që Shqipëria ta zgjidhë këtë situatë. Ata e dinë se e kanë mbështetjen dhe durimin tonë, pavarësisht se durimi ynë në lidhje me njerëzit që nisen për në spital nga greva e urisë... ky është një fenomen i çuditshëm. Por, ne mendojmë se vendi i debatit, është parlamenti, vetëm aty palët politike, mund të parashtrojnë kërkesat dhe pretendimet e tyre”, u shpreh komisioneri Fule. “Më duhet të respektoj të gjitha sjelljet dhe vendimet personale, por mesazhi im për të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe për të gjithë aktorët politikë, është që rruga përmes së cilës Shqipëria mund të zgjidhë problemet, është në opinionin tim, integrimi në BE, dhe perspektiva evropiane është rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve. Për këtë arsye, dua të përsëris se demokracia jonë funksionon në një Parlament që funksionon siç duhet, dhe kjo është rruga më e mirë për të treguar pjekuri politike dhe demokratike në Shqipëri sot”- nënvizoi përfaqësuesi i Presidencës spanjolle të BE-së, Garrido.
Nga ana tjetër, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se mazhoranca i ka ofruar opozitës modalitetet e zgjidhjes dhe se mbetet e vendosur për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. “Ne ftojmë e do të vazhdojmë të ftojmë opozitën për bashkëpunim me shumicën, në interesin më të mirë të vendit. Gjithashtu ne kemi dhënë garancitë tona se fokusi ynë kryesor në të ardhmen do të mbetet në veçanti lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma e drejtësisë dhe një numër reformash në fusha kryesore, të cilat ne do t’i ndjekim me vendosmëri”- deklaroi kryediplomati shqiptar.
Sipas tij, mes transparencës së zgjedhjeve dhe Kushtetutës ka hapësira dhe ato janë për adresimin e kërkesave të opozitës. Përsa i përket grevës së urisë të PS-së Meta theksoi se greva nuk është mjeti i duhur për zgjidhjen e problemeve.
Në vijim, komisioneri për zgjerim, Fule theksoi se Shqipëria ka bërë progres përsa i përket urdhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa për statusin kandidat shtoi se duhen pritur rekomandimet për përgjigjet e pyetësorit të BE.
“Propozimi i Komisionit do të dorëzohet, por kushtet janë atje sepse Komisioni ka besimin e plotë se të dy vendet do të plotësojnë të gjitha kriteret shumë shpejt. E njëjta gjë ndodhi edhe me dy nga tre vendet që përfituan nga liberalizimi i vizave”, tha Fule.
Më i prerë në përgjigjen e tij, ishte diplomati spanjoll i BE, Garrido, i cili tha se inkurajon lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirën “Schengen”.
“Ne jemi në favor të liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në dukje se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim duke i përmbushur kriteret. Nga biseda jonë sot u vu re se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar nga liberalizimi i vizave së shpejti”- tha ai.

Presidenca spanjolle: Palët të shkojnë drejt një marrëveshjeje politike

Spanja e cila është edhe kryesuesja e radhës e BE-së i ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri që të kapërcejnë gjendjen aktuale dhe të shkojnë drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike. Zëdhënësja e presidencës së spanjolle, Cristina Gallach, në një intervistë për BBC-në theksoi se Shqipëria nuk mund të ecë përpara drejt integrimeve evropiane në një gjendje të paqëndrueshme politike.
Sipas saj BE-ja i dërgon mesazhe të qarta qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që ta kuptojnë rëndësinë e momentit dhe të çështjeve që lidhen me përparimin e vendit drejt BE-së. Duke folur për takimin e Sarajevës, znj. Gallach, tha se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është e një rëndësie të posaçme dhe e domosdoshme.
Sipas saj, vetë ministri i jashtëm spanjoll, Angel Moratinos, ka shfaqur bindjen e tij se takimi në Sarajevë do të rezultojë me mesazhe pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit në marrëdhëniet me BE-në.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›