Zotërinj kolegë, nuk shkohet me lule natyrale në një grevë urie false
Rreth pelegrinazhit të disa eksponentëve të televizioneve të Edvinit tek çadrat e “grevës së urisë”
Nuk është e nevojshme të hysh në detaje për të treguar se sa fals e sa pak lidhje me median kishte pelegrinazhi i djeshëm i një grupi gazetarësh (kryesorë) të tre televizioneve kryesore në vend (Top Channel, Neës 24 e Vizion Plus) tek çadrat e grevistëve të Partisë Socialiste. Pasi prej ditësh kishin marrë monopolin që të raportonin të lirë (por në mënyrë të kontrolluar) nga çadrat, në dëm të kolegëve të tyre të medias që kishin një linjë editoriale që kundërshtonte mbajtjen në këto momente të këtij aksioni politik, kolegët tanë nuk gjetën rastin të tërhiqnin vëmendjen e opinionit për sjelljen krejt antidemokratike që Rama e PS po mbajnë ndaj mediave, por shkuan edhe më tej në rreshtimin e tyre, kur me lule natyrale në duar, u shfaqën të kolektivizuar në nismën për të çertifikuar grevën e urisë, si një grevë të vërtetë, si një sakrificë sublime, ndaj së cilës, eksponentët e mediave në fjalë tregonin gjithë solidaritetin e tyre. Kjo shfaqje jo fort e këndshme për median në përgjithësi, ndodhte një ditë pasi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ekzemplarë të gazetës “55” digjeshin publikisht nga protesues socialistë, nën një atmosferë të pastër linçimi. Tre ditë më përpara, e njëjta situatë, bile në një situatë konfrontimi më të rëndë ishte përsëritur me dy ekipe xhirimi të televizionit publik shqiptar, të cilët në fillim zëdhënësja e PS e më pas vetë kryetari i PS i kishin kërcënuar fizikisht, duke u deklaruar se po u futën në çadra, atyre s’u garantohej jeta.
Në këtë marrëdhënie të dënueshme të Partisë Socialiste me mediat në linjë editoriale jo dashamirëse ndaj së majtës, eksponentët e këtyre mediave s’thanë gjysmë fjale për këto qendrime, bile zbatuan një censurë ndaj këtyre ngjarjeve, të cilën do ta kishim zili edhe për vitet e vështira të fillimviteve ’90. U desh që sërish “Reporterët pa Kufi” të reagonin ndaj kësaj situate kundër shtypit të lirë...
Por prapë shoqatat e mediave ndërkombëtare s’mund të imagjinojnë se në Shqipëri mund të organizohen nga politika edhe antimitingje mediatike. I tillë konsiderohet manifestimi i djeshëm i eksponentëve të tre televizioneve të rëndësishme të vendit, të cilat publikisht u shfaqën me lule natyrale në një grevë që i ka të gjitha kredencialet për t’u konsideruar si një grevë false. Por pikë së pari, manifestimi i djeshëm i kolegëve i jep opinionit publik mesazhin se përralla për pavarësinë mediatike apo liria editoriale nuk ekziston për subjektet në fjalë dhe se ato publikisht vendosën t’i varin mediat që përfaqësojnë tek çengeli i Edi Ramës.
Gjithsesi, në qoftë ndryshe, secili prej tyre ka hapësirën mediatike për të paraqitur “mea culpa”-n e vet.
“Reporterët pa Kufi”, protestë kundër dhunës së ushtruar nga PS, ndaj RTSH-së/Organizata ndërkombëtare prestigjoze për lirinë e mediave, Reporterët pa Kufij protestoi dje ndaj ndalimit të dhunshëm që Partia Socialiste i bën Radio Televizionit Shqiptar për të përcjellë grevën e urisë.
“Sjellja e Partisë Socialiste është befasuese dhe e papranueshme. Asgjë nuk mund të justifikojë këto lloj kufizimesh”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij.
Nëse, sikur edhe organizatorët thonë, kjo është një aksion proteste paqësore, nuk ka arsye për militantët që të sulmojnë median, edhe kur nuk e pëlqejnë atë.
Nëse një grup militantësh, ose kushdo tjetër që nuk ka lidhje me partinë sulmon një ekip Televizioni ose një gazetar, është detyrë e policisë dhe e gjykatës të ndërhyjnë dhe të marrin të gjitha masat kundrejt atyre që janë përgjegjës për abuzimet, deklaroi organizata mbarëbotërore e lirisë së shtypit, duke i bërë thirrje organizatorëve të këtyre demonstratave të ndërmarrin publikisht përgjegjësinë për të garantuar aksesin e lirë të të gjitha mediave.