BE-SHBA: Deputetë e gjyqtarë, pa imunitet
Aristir Lumezi
EURALIUS dhe OPDAT kundërshtojnë paktin PS-PD për të ruajtur deputetin nga përgjimi dhe hetimi. Gazeta “Panorama” disponon rekomandimet konfidenciale që këto dy institucione i drejtojnë të mandatuarve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të Kuvendit të Shqipërisë. EURALIUS dhe OPDAT (Departamenti Amerikan i Drejtësisë) i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të heqë dorë nga autorizimi që duhet të japë në rastet e përgjimit, mbikëqyrjes, kontrollit të banesës apo zyrës së deputetit e më pas arrestimin e tij pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit. Kjo ka qenë një nga pikat që PD dhe PS kërkonin ta mbanin ende në fuqi në lidhje me kufizimin e imunitetit të mandatit të deputetit. Sipas EURALIUS, për kufizimin e imuniteteve kërkohen ndryshime në Kushtetutë dhe përfshirjen e të gjithë zyrtarëve që gëzojnë sot imunitet përmes saj. Roland Miklau, shef i Misionit të EURALIUS dhe Melissa Schraibman, Këshilltare Ligjore e Përhershme e Departamentit amerikan të Drejtësisë, iu përgjigjën kërkesës së dy deputetëve të Kuvendit pas seancës dëgjimore të zhvilluar me ekspertë të fushës për këtë çështje. Ata shprehen se kjo çështje kërkon një proces të gjatë dhe të gjerë konsultimesh, por dhe një plan të detajuar, duke përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të Kodeve dhe Rregulloreve të Kuvendit. Ndryshe nga qëndrimi i shprehur pak ditë më parë nga deputeti socialist Ylli Bufi për garantimin e lirisë qytetarëve të deputetëve, të cilët janë nën hetim, dhe marrjen e miratimit të Kuvendit në rastet e përgjimit, mbikëqyrjes, kontrollit të banesës, zyrës etj., EURALIUS, shprehet i prerë se “kur bëhet fjalë për kufizimin e imunitetit, është tepër e rëndësishme që të gjitha teknikat e hetimit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollet, të jenë të lejueshme pa autorizim”. EURALIUS shprehet në mënyrë kategorike kundër trajtimit të diferencuar të këtyre teknikave, pasi ky diferencim nuk do ta zgjidhte problemin”. “Ne kemi parë praktikat dhe standardet evropiane mbi imunitetin dhe të dy institucionet tona kanë arritur në përfundimin që ndërhyrjet e duhura në Kushtetutën e sotme të Shqipërisë, të shoqëruara me një proces konsultimi të planifikuar me kujdes dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të duhura, është rruga më e mirë për të trajtuar çështjen e imunitetit”, thuhet të rekomandimet e EURALIUS. Në rekomandimet e tyre të dyja agjencitë shprehen se edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1998 ka kaluar me sukses një sërë testesh, dispozitat e saj në lidhje me imunitetin kanë penguar seriozisht hetimet penale, veçanërisht në rastet e dyshimeve për korrupsion, duke mos kontribuar në efektivitetin e ndjekjeve penale. EURALIUS dhe OPDAT rekomandojnë që ndërhyrjet në imunitet të prekin nenet 73 (deputetët), 126 (gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (të gjithë gjyqtarët e tjerë). Mund të ndërhyhet edhe në nenin 61/3 për Avokatin e Popullit, 165/2 për kryetarin e KLSH-së, por dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë. Duke propozuar dhe modele të imuniteteve të kufizuara, dy agjencitë sugjerojnë Kushtetutën e re të Kosovës, ku ka dispozita më të kufizuara dhe më të përshtatshme që mund të aplikohen dhe në Shqipëri.
Rekomandimet e EURALIUS
Imuniteti duhet të kufizohet e të qartësohet dhe kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një ose disa ndryshime ligjore nuk do të jenë të mjaftueshme. Janë të nevojshme ndryshime të Kushtetutës.
Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndërmerren vend dhe pavend, por as nuk duhet të shmangen nëse kryhen nëpërmjet një procedure të kujdesshme dhe të drejtpeshuar me këshillim të përshtatshëm dhe të gjerë. Duhet të ketë një plan të detajuar, duke përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të Kodeve dhe Rregullores së Kuvendit.
Një proces konsultimi i menduar dhe i zhvilluar mirë mund të përmirësojë gjendjen. Masat që ndërtojnë besim, si zyrtare ashtu dhe jo zyrtare, gjithashtu mund të zhvillohen më tej dhe duhet të diskutohen si pjesë e procesit.
Të gjitha teknikat e hetimit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollet, të jenë të lejueshme pa autorizim. Trajtimi i diferencuar i këtyre teknikave nuk do zgjidhte problemin.
Ndërhyrjet në imunitet të prekin nenet 73 (deputetët), 126 (gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (të gjithë gjyqtarët e tjerë). Mund të ndërhyhet edhe në nenin 61/3 për Avokatin e Popullit, 165/2 për kryetarin e KLSH-së, por dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Çfarë është EURALIUS
EURALIUS II (Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian sipas Programit CARDS 2006 për Shqipërinë. Është vazhdim i drejtpërdrejtë nga EURALIUS-i I që përfundoi në mesin e muajit nëntor 2007. Ashtu si në EURALIUS-in I, kontraktuesi i Marrëveshjes së re Grant për EURALIUS II është Ministria Federale e Drejtësisë e Austrisë, e cila po zbaton projektin në një konsorcium së bashku me Ministrinë Federale të Drejtësisë së Gjermanisë (për hollësi shih Partnerët e Konsorciumit). Lideri i Misionit është z. Roland Miklau, ish-Drejtor i Përgjithshëm për Legjislacionin Penal në Ministrinë Federale Austriake të Drejtësisë.
Rama anashkalon kërkesën e LSI-së
Kryesocialistit Edi Rama, ka anashkaluar kërkesën e LSI-së dhe të PDK-së për reformën zgjedhore, për t’u përfaqësuar në KQZ dhe në komisionet e tjera të numërimit të votave. Pyetjes së gazetarëve për kërkesën e këtyre partive, Rama i ka nxjerrë përpara raportin e KE-së, ku cilësohet si i vlefshëm bashkëpunimi mes PS-së dhe PD-së për reformën zgjedhore. “Një nga të paktat pika ku Progres Raporti i KE për Shqipërinë nënvizon qartësisht progres është pika ku flet për Reformën Zgjedhore dhe ku përcakton shprehimisht meritën e forcës më të madhe të opozitës, pra të Partisë Socialiste. Leximi i këtij vlerësimi edhe përpara opinionit publik nga ana juaj do të ishte një ndihmë e çmuar, për të kthjelluar, si dhe për të forcuar bindjen e domosdoshmërisë së kontributit tonë në këtë proces dhe e meritës sonë të padiskutueshme për suksesin e këtij procesi”, deklaroi Rama në konferencën e djeshme për shtyp.