Bllokohen 40 kg drogë në makinën me tabelën e rrugores, pranga të riut
GJIROKASTER - Një i ri me 40 kg drogë ka tentuar t'i shpëtojë postbllokut të Policisë Rrugore, duke u maskuar si punonjës policie. Ngjarja ka ndodhur mesditën e të mërkurës në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë rreth 10 km në veri të qytetit, kur shtetasit Astrit Kermezo, 23 vjeç i janë gjetur në automjet 40 kg lëndë narkotike e llojit marihuanë. Policia e Gjirokastrës, kishte dijeni për lëvizjen e të riut gjirokastrit nga Lazarati në drejtimin verior të qytetit, duke qarkulluar me një automjet tip Mercedes Benz me targa të Durrësit 8044 D, që më vonë u vërtetuan se ishin të falsifikuara. Një informacion i siguruar nga specialistët e Sektorit të Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, bëri të mundur zbulimin e drogës në automjetin, që transportohej nga i riu në drejtim të pjesës veriore të qarkut jugor si dhe destinacionin final të saj. Postblloku policor i ngritur në afërsi të fshatit Shtëpëz mundi që të ndalonte transportin e 40 kg marihuanë të presuar drejt kryeqytetit. Një kontroll i befasishëm i kryer nga policët në bagazhin e automjetit zbuloi sasinë e drogës, ndonëse i riu u kishte deklaruar se në bagazh kishte kuti me vaj makine si dhe gomën rezervë. Sipas policisë, marihuana ishte e presuar, vendosur në 4 pako të mëdha nga 10 kg secila. Kontrolli policor u zgjerua edhe në bordin e automjetit ku në kroskot Kermezos i janë gjetur edhe 41.500 lekë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Për t'i shpëtuar kontrolleve nga postblloqet policore, i riu kishte vendosur në xhamin e parmë të automjetit, një tabelë të policisë rrugore si dhe një jelek ngjyrë fosforeshente e cila përdoret nga punonjësit e qarkullimit rrugor. Këto dy objekte, Kermezo i kishte vendosur në pozicion të dukshëm për t'u maskuar si punonjës policie. Policia ka bërë menjëherë arrestimin e Kermezos për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Rasti i sotëm është i trembëdhjeti brenda vitit dhe i treti brenda muajit, që policia kap autorin dhe sekuestron lëndën narkotike të transportuar përmes automjeteve private. p.n