Obama nis përzgjedhjen e kabinetit, me republikanë
Barak Obama ka nisur formimin e skuadrës së tij besnike për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, e cila mund të trashëgojë dy emra të dinastisë Kennedy dhe të tjerë emra të mëdhenj. Janë me qindra poste për t’u plotësuar në vetëm 10 javë nga dita e inaugurimit. Presidenti i zgjedhur mund të ndërmarrë një hap vlerësimi familjes legjendare demokratike Kennedy, duke i ofruar Karolin Kennedy-t, babai i së cilës, presidenti John F Kennedy u vra në vitin 1963, postin si ambasadore e SHBA-së në OKB. Ndërsa kushëriri i saj, Robert F Kennedy i ri, djali i senatorit Robert Kennedy, që u vra në vitin 1968, mund të bëhet shefi i agjencisë së Mbrojtjes së Ambientit. Sipas burimeve demokratike, senatori Xhon Kerri, i cili konkurroi përkrah Xhorxh Bushit në presidencialet e vitit 2004, konsiderohet se do të jetë zëvendësi i Sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs. Ndërsa ish-sekretari i Shtetit, Colin Powell, i cili i shokoi kolegët e tij republikanë duke mbështetur Obamën, diskutohet si shefi i ardhshëm i Pentagonit për sekretar i Arsimit. Megjithatë, sipas “Bloomberg”, parashikohet se do të fryjë erë Çikago në Shtëpinë e Bardhë. Kongresmeni Rahm Emanuel, ish-ndihmës i Presidentit Bill Klinton, ka pranuar rolin si shefi i kabinetit, pasi i ishte kërkuar përpara ish-senatorit Tom Daschle. Emanuel është demokrati i katërt më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve. Si kryetar i komitetit të fushatës demokrate në vitin 2006, ai luajti rol kryesor për t’i sjellë demokratët përsëri në kontroll në Kongres pas 12 vjetësh në pakicë. Emanuel ruajti paanshmërinë gjatë betejës së fortë në zgjedhjet paraprake mes Obamës dhe senatores Hillary Rodham Clinton për shkak të lidhjeve të hershme si me ish-zonjën e parë, ashtu edhe me senatorin e Ilinoit. Ndërsa William Daley, një sekretar tregtie nën mandatin e Klintonit dhe menaxher fushate presidenciale i Al Gore në vitin 2000, është caktuar në kabinetin e tranzicionit dhe pret përcaktimin e postit. Presidenti Xhorxh Bush ka premtuar një tranzicion të lehtë të presidencës, duke i ofruar Obamës të gjithë bashkëpunimin e mundshëm. Përveç Collin Powell, shumë republikanë të tjerë janë piketuar nga Obama për t’u bërë pjesë e kabinetit të tij, pasi presidenti ka premtuar se do të ketë një kabinet dypalësh. Edhe Robert Gates, shefi aktual i Pentagonit, mund të mbetet ende në detyrën e tij apo mund të zëvendësohet edhe nga senatori Chuck Hagel, një republikan kundërshtar i luftës në Irak. Michael Hayden, kreu i CIA-s, mund ta ruajë pozicionin e tij. Përcaktimi i parë i madh i Obamës do të jetë ai i sekretarit të Thesarit, personi që do të kapërcejë menaxhimin e paketës së ndihmës ekonomike prej 700 miliardë dollarësh. Ndërsa Larry Summers, 53 vjeç, i cili ka shërbyer si sekretar thesari në mandatin e Klintonit, është gjithashtu i favorizuar.
Propozime për kabinetin
Karolin Kennedy - ambasadore e SHBA-së në OKB
Robert F Kennedy i ri - Shefi i Agjencisë së Mbrojtjes së Ambientit
Senatori Xhon Kerri – Sekretar Shteti
Colin Powell - Shef Pentagoni/ Sekretar Arsimi
Kongresmeni Rahm Emanuel - Shefi i kabinetit
Robert Gates – Shef Pentagoni
Senatori Chuck Hagel – Shef Pentagoni
Michael Hayden - kreu i CIA-s
Larry Summers – Sekretar Thesari
Timothy Geithner – Sekretar Thesari
Warren Buffett, milioneri ekspert i tregjeve kapitale
Robert Rubin, ish-sekretar thesari SHBA (mandati i Ford)
Jamie Dimon, ekspert ekonomie në administratën qendrore
Larry Summers, profesor në Harvard, ekonomist i BB
Eric Schmidt, president i Google, ekspert teknologjie, energjetike
Indra Nooyi, presidente e “Pepsi”, kryetare e Këshillit të biznesit Indi-SHBA, në bordin e “Motorola” dhe Rezervave Federale
Paul Volcker, ish-kryetar i Rezervave federale (mandati Karter-Regan)
Ja 20 pikat që do ndryshojnë Amerikën
Presidenti Barak Obama i ka bërë të qarta prioritetet e politikës së tij gjatë tranzicionit por edhe qeverisjes katërvjeçare që do të gëzojë në Shtetet e Bashkuara, pas fitores së ndjeshme, të së martës. Presidenti është zotuar se do të gjejë një përgjigje të saktë kundër krizës ekonomike amerikane, e cila është më e thella në SHBA, që nga koha e Depresionit të Madh. Për këtë Presidenti i ri ka zgjedhur një grup këshilltarësh ekonomik prej 14 vetash, në të cilët përfshihen emra ish-sekretarësh, thesari dhe miliarderë amerikanë, të cilët janë ekspertë në fushën e ekonomisë dhe të financave. Obama ka deklaruar se kjo është një sfidë shumë e vështirë dhe nuk pritet që të zgjidhet me një muaj apo një vit, mbase as edhe më një mandat. Në këtë sektor, ai ka kërkuar edhe një sistem për shpëtimin e gjigandëve të hipotekave. Obama ka premtuar në programin e tij ndryshimin e taksave personale, që do të thotë se njerëzit që fitojnë pak para do të kenë shansin të marrin pensione më të larta. Një nga prioritetet e Presidentit të ri është edhe sistemi i përmirësimit të kujdesit shëndetësor, përmirësimi i sistemit të kursimeve dhe mbi to forcimi i Wall Street, paqëndrueshmëria e të cilit ka lëkundur aksionerët. Barak Obama ka paraqitur një sistem të ri të përfitimit energjetik, një sistem i cili parashikohet të sigurojë një mbrojtje më të mirë për ambientin. Duke synuar qëndrueshmërinë dhe forcimin e dollarit amerikan, Barak Obama synon të ketë edhe një kufi më të qëndrueshëm të çmimit të karburanteve. Ai është zotuar të shqyrtojë edhe të drejtat e pronësisë, sistemin spitalor, punësimin dhe sistemin e pagave për punëtorët. Lufta ndaj mashtrimeve të huave, të cilat shkaktuan edhe falimentimin e gjigandëve financiare amerikanë janë një tjetër shënjestër e Presidentit të zgjedhur amerikan.
20 prioritetet e Obamës
· Përgjigjja e krizës ekonomike
· Përmirësimi i deficitit të buxhetit
· Shpëtimi i gjigantëve të hipotekave
· Siguria sociale
· Rritja e pensioneve për të varfit
· Kujdesi shëndetësor
· Sistemi i kursimeve
· Forcimi i Wall Street
· Qëndrueshmëria e çmimit të karburantit
· Siguria e energjisë
· Të drejtat e pronës
· Lufta ndaj mashtrimeve të huave
· Spitalet
· Taksat e bizneseve
· Falimentimi i bizneseve
· Tregtia e lirë
· Puna dhe pagat
· Biznesi i vogël
· Siguria e trafikut
· Taksat e pasurisë