Obama e nis ditën e parë me palestër
Fillimi i jetës presidenciale ka qenë mjaft i qetë për Obamën. Ai ka kaluar mëngjesin me familjen e tij, gruan Michelle dhe dy vajzat. Më pas Obama ka kaluar në zyrat qendrore të partisë së tij, pasi kishte kryer stërvitjen e tij të zakonshme në palestër. Dhjetëra njerëz prisnin në të ftohtë vetëm për të parë nga afër presidentin e ri afrikano-amerikan. Beteja dyvjeçare presidenciale përfundoi në Çikago, ku Barak Obama po përfiton të kalojë pranë familjes ato pak ditë të lira që i kanë mbetur, duke menduar sfidat e vështira që e presin në katër vitet e ardhshme. Obama pritet ta kalojë të gjithë javën në Çikago. Dje ai pati takimin e parë me kreun e CIA-s, ku mori informacionet e para të detajuara mbi funksionimin e tyre. Por jo gjithçka ka qenë e qetë. Që në ditën e parë pas votimit, Obama ka piketuar njerëzit që do të ketë në stafin e tij, si kreun e qeverisë dhe këshilltarët. Por Obama po përballet me një sfidë mjaft të vështirë, trashëgiminë e konfliktit raketor me Rusinë. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, pak orë pas fitores së Obamës ka deklaruar se do të kthejë raketat Iskander në Kaliningrad, një rajon mes Polonisë dhe Lituanisë, “për të neutralizuar sistemin amerikan mbrojtës të raketave”. Plani i Medvedevit tregon presionin rus kundrejt Shteteve të Bashkuara në kohën e tranzicionit të presidencës. Ish-ministri i Jashtëm rus, Andrei Fyodorov, në një intervistë për “Kommersant” ka komentuar se sfida e Obamës është e madhe në ditët e para të presidencës së tij, pasi “nuk ka akoma eksperiencë ndërkombëtare”. Sipas tij, është i mundshëm një përmirësim i raporteve dypalëshe, por vetëm me dëshirën e të dyja palëve. Nga ana tjetër Kina ka bërë presion mbi politikën amerikane për Tajvanin. Autoritetet kineze kanë paralajmëruar se trajtimi në mënyrë të duhur i “çështjes së Tajvanit” është thelbësore në raportet mes Pekinit e SHBA-së dhe i kërkuan presidentit të zgjedhur që të ndërpresë shitjen e armëve ishullit vetëqeverisës. “Në vitet e fundit, çështja më e ndjeshme në raportet kinezo-amerikane ka qenë Tajvani”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Qin Gang. SHBA është e obliguar nga legjislacioni i saj që ta ndihmojë në fushën e mbrojtjes Tajvanin dhe, Obama gjatë fushatës zgjedhore e ka mbështetur shitjen e armëve Tajvanit.
CIA ndan sekretet me Obamën
Kreu i shërbimeve sekrete amerikane, CIA, Mike Hayden, tha se agjencia do të nisë kontaktet me presidentin e ri për ta informuar mbi të dhënat e dosjeve të klasifikuara gjatë fazës 75-ditore të tranzicionit. “Ndërsa ne vazhdojmë t’i shërbejmë administratës ekzistuese, jemi gjithashtu në kontakt me presidentin e zgjedhur, Barak Obama dhe skuadrën e tij të sigurisë kombëtare”, shkroi kreu i Agjencisë së Shërbimeve Sekrete, Mike Hayden, në një letër drejtuar punonjësve të CIA-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve AFP. “Nëpërmjet hyrjes së plotë e të gjerë në të dhënat tona, më shumë se sa ai ka pasur si kandidat apo si senator, ai do të jetë i informuar plotësisht mbi mundësitë dhe funksionin tonë për Shtetet e Bashkuara”, shkruan më tej Hayden. Agjencia u takua dje për të diskutuar mbi periudhën e tranzicionit presidencial, që do të zgjasë deri në emërimin e tij zyrtar si president më 20 janar. “Që tani ne kemi përgatitur një sasi të madhe informacioni të CIA-s për skuadrën e Obamës”, ka shkruar Hayden.
Republikanët: Pelin “injorante”, hetim shpenzimeve
Tani që fushata amerikane presidenciale përfundoi, mediat raportojnë se senatori Xhon Mekein dhe guvernatorja Sarah Pelin kanë vazhduar në rrugë të ndara, por “kanë nxjerrë thikat” dhe është Pelin ajo që duket se do të goditet. Kritikë brenda Partisë Republikane janë ankuar pas fushate mbi aftësitë e guvernatores nga Alaska, Sarah Pelin. Sipas “Fox News”, ata kanë deklaruar se Pelin nuk e dinte se Afrika ishte kontinent dhe as nuk njihte vendet anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore: SHBA, Meksika e Kanadaja dhe kjo në kohën kur ajo u zgjodh si zëvendëspresidente. NYT raporton se stafi i Mekein është ndjerë i fyer kur ndihmësit e Pelin kanë raportuar se ajo kishte folur në telefon me presidentin francez, Nikola Sarkozi, që ka rezultuar se ishte një lojë radiofonike. “Newsweek” raporton se Pelin ka shpenzuar shumë më tepër se 150 mijë dollarët e deklaruara për veshje për vete dhe familjen gjatë fushatës. Tensioni po përkeqësohet kur u bë publike se avokatët e Komitetit Nacional Republikan janë drejtuar për në Alaska për të hetuar mbi veshjet, bizhuteritë dhe valixhet e Pelin.
Kalifornia demokrate, stop martesave gay
Ndërkohë që zgjedhjet në SHBA janë konsideruar se kanë treguar çlirimin nga racizmi dhe paragjykimet për popullin amerikan, një nga shtetet më të rëndësishme, Kalifornia, hedh një hap që kontraston me lirinë e mendimit që po reklamohet në botë mbi SHBA-në pas fitores së Obamës. Kalifornia ka votuar në një referendum kundër lejimit të martesave gay. 52 për qind e zgjedhësve me votën e tyre kanë vënë në dyshim mijëra martesat mes homoseksualëve të celebruara në shtetin amerikan. Që kur Kalifornia i lejoi martesat gay si të ligjshme katër muaj e gjysmë më parë, në Kaliforni janë martuar 18 mijë çifte. Fushata e referendumit i ka kushtuar shtetit 74 milionë dollarë. Ky votim ka vënë në dyshim karakterin tradicional liberal të Kalifornisë, e cila më 16 qershor i njohu të ligjshme martesat gay, duke i dhuruar të njëjtat të drejta si çiftet e tjera.