Pedofilia me tre fëmijët, akuzë e re për David Braun
David Braun, anglezi i akuzuar për abuzimin seksual me të mitur të jetimores "Fëmijët e tij", që drejtohej prej tij në Tiranë, replikoi dje me prokurorin e çështjes. Prokurori Kol Hysenaj i ka komunikuar në gjykim akuzën e re për abuzime seksuale me një fëmijë të tretë shtetasit britanik, i cili më parë akuzohej për pedofili me dy fëmijë. Sipas prokurorit Braun ka abuzuar me tre të mitur shqiptarë. Seanca e replikës u kërkua nga prokurori, për shkak se mbrojtja tha në seancën e kaluar se kishte vërejtje për pretencën e prokurorisë. Dje prokurori i çështjes i bëri përmbledhje pretencës, duke pohuar se fajësia e anglezit Braun ishte provuar gjatë procesit gjyqësor, nga dëshmitë e të dëmtuarve, deklarimet e fëmijëve të tjerë që kanë jetuar në të njëjtën kohë në jetimore, provat shkresore dhe për më tepër nga ekspertiza mjekoligjore. Sipas prokurorit, në proces ishte vërtetuar se Braun kishte pasur dijeni për abuzimin seksual, që dy miqtë e tij anglezë kishin bërë ndaj të miturve dhe nuk kishte njoftuar organet shtetërore. Vetë Braun gjatë fjalës së vet pohoi, se ishte i pafajshëm dhe se ishte sjellë me të miturit njëlloj sikur të ishin fëmijët e tij. Duke vazhduar mendimin e klientit të saj, avokatja mbrojtëse e Braun pohoi se seancën e ardhshme gjykata duhet ta shpallte të pafajshëm dhe ta lironte atë. Tre javë më parë gjatë pretencës, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës dënimin e Braun me 20 vjet burg, duke kërkuar fajësinë e tij për abuzimin me dy djem të mitur, njëri aktualisht 12 dhe tjetri 11 vjeç. Prokurori tha se anglezi Braun, që ishte kreu i fondacionit kujdesej për fëmijët e jetimores, ndërsa ka abuzuar me dy prej tyre, me të cilët flinte në të njëjtin shtrat. Po kështu nga prokuroria janë akuzuar edhe dy miqtë e Braun, greko-anglezin Dino Christodoulou dhe skocezin Robin Arnold, të cilët janë objekt i një tjetër gjykimi që po zhvillohet paralelisht në Gjykatën e Tiranës. Gjatë pretencës prokuroria kundërshtoi provat e paraqitura nga mbrojtja, duke pohuar se Braun nuk mund të mbrohej me pretendimin, se ishte i paaftë seksualisht dhe se gjithashtu gëzonte shëndet të plotë mendor. Akuza e ngritur ndaj anglezit Braun është kryerje e marrëdhënieve homoseksuale me të mitur, më shumë se një herë, në mënyrë të vazhduar dhe e konsumuar ndaj dy personave. Pasi dëgjoi fjalën e fundit të palëve, ku i pandehuri dhe avokatja kërkuan pafajësi dhe prokuroria dënimin, gjykata vendosi të shpallë vendimin e argumentuar pas dy javësh. fa.ma.