E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Kodi, jo monopol PD-PS

 

ADI SHKEMBI

Kodi i ri zgjedhor do të miratohet në parlament, vetëm pasi të sqarohen dyshimet, se PD e PS po monopolizojnë procesin e numërimit të votave dhe ngushtimin e mundësisë së kandidimit të partive jo parlamentare. Deklarata vjen jo nga partitë e vogla, por nga deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj. Ish-ministri i Jashtëm është pritur dje nga ambasadori gjerman në vendin tonë, Bernd Borchardt, me kërkesën e këtij të fundit. Sipas zyrës së shtypit të Mustafajt, i cili është edhe kandidat për kryetar të degës së PD-së në Tiranë, deputetët e kuvendit nuk janë njohur ende me Kodin e ri Zgjedhor. “Mustafaj i shpjegoi diplomatit të lartë gjerman, se deputetët ende nuk janë njohur me projektin e ligjit të ri elektoral. Mustafaj shprehu shpresën se parlamentit do t’i jepet koha e mjaftueshme për të zhvilluar një debat të gjerë e të shëndetshëm rreth këtij ligji, i cili duhet të miratohet vetëm pasi të jetë sqaruar dyshimi i përhapur se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po merren vesh për të monopolizuar numërimin e votave si dhe dyshimi tjetër se në këtë ligj parashikohet ngushtimi me tepri i mundësisë për të konkurruar qoftë për partitë jo parlamentare, qoftë për individët e pavarur”, thuhet në njoftimin për shtyp të nxjerrë nga zyra e Mustafajt. Deputeti demokrat është shprehur në takimin me kreun e diplomacisë gjermane në vendin tonë, se për shqiptarët do të jetë e papranueshme të miratohet një ligj zgjedhor që kufizon të drejtën themelore kushtetuese të garës për qytetarët. Sipas Mustafaj, ky ligj do ta kryejë funksionin e tij, vetëm në qoftë se merr besimin e klasës politike në përgjithësi dhe të opinionit publik. “Për ndryshe, mosbesimi ndaj ligjit do ta infektonte atmosferën elektorale, siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme dhe do të prodhonte gjatë zgjedhjeve mosbesim ndaj rezultatit të votimeve, gjë që sigurisht do të rrezikonte standardin e vetë zgjedhjeve. Është e domosdoshme të hyjmë në zgjedhje me një ligj gjerësisht të besueshëm për të gjithë pjesëmarrësit”, theksoi Mustafaj. Një tjetër çështje e diskutuar mes ish-ministrit të Jashtëm dhe ambasadorit gjerman ka qenë reforma në sistemin e drejtësisë. Bëhet e ditur se deputeti i Partisë Demokratike ka siguruar Borchardt se pjesa dërmuese e deputetëve demokratë janë të vendosur të votojnë një ligj që vetëm forcon pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit, si kusht i pashmangshëm për ndërtimin e shtetit ligjor. Sipas Mustafajt, reforma në drejtësi ka për synim përmirësimin e funksionimit të krejt sistemit dhe jo hapa prapa. Në të njëjtën kohë, sipas zyrës së shtypit të deputetit të PD-së, ambasadori gjerman është interesuar edhe për ecurinë e garës, që pritet të zhvillohet në Tiranë për kryetar të degës së Partisë Demokratike në kryeqytet. “Mustafaj e siguroi diplomatin e lartë se ai është i vendosur  për të zhvilluar një garë serioze, e cila do t’i shërbejë demokratizimit të brendshëm të partisë dhe vitalizimit të strukturave të saj për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare, që pasojnë e ku Partia Demokratike duhet të fitojë një mandat të ri”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›