E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, Sequi: Besojmë në vazhdimësinë e konsensusit mazhorancë – opozitë

14-01-2012 / Gazeta 55

Reagon kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, një ditë pas refuzimit nga opozita të ligjeve me 3/5

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka reaguar ndaj refuzimit të reformave dhe ligjeve me 3/5 nga Partia Socialiste, një ditë pasi mazhoranca miratoi pa konsensus kalendarin tre javor të punimeve parlamentare.
Ambasadori Sequi ka inkurajuar klasën politike që të vijojnë dialogun ndërmjet tyre si rruga më e mirë për të ecur përpara në proceset integruese.
“Ajo që dua të nënvizoj është se duhet të besojmë në bashkëpunimin dhe dialogun e klasës politike. E dini se cila është fraze ime e preferuar? Ku ka zemër ka edhe krahë”, u shpreh Sequi.
Deklaratat e kreut të prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë u bënë nga Marqineti, ku inauguroi një rrugë dhe shkollën 9 vjeçare, që janë investim i vendeve të BE-së me një vlerë prej 3.1 milion euro.
Ambasadori Sequi i ka dhënë mesazhe të qarta politikës shqiptare se me përmbushjen e kritereve të Brukselit, të cilat mbeten 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, Shqipëria do marrë dritën jeshile në mars, për statusin e vendit kandidat.
Ky moment pasohet nga çelja e negociatave të anëtarësimit në vjeshtë të këtij viti. Por, qëndrimi i mbajtur nga Partia Socialiste të mërkurën në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare, vihet në pikëpyetje dialogu politik dhe konsensusi për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Kjo pa dyshim që mund të interpretohet si tregues i rikthimit të krizave politike dhe ri-nisja e bojkotit të Kuvendit, pavarësisht këmbënguljes së ndërkombëtarëve se Shqipëria s’ka kohë për zvarritjen e reformave, por se duhet t’i përmbushë ato brenda afateve të parashikuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›