“Nëse s’korrektohet sistemi, lista të përbashkëta me PS”

Paskal Milo i bën presion Edi Ramës
Opozita është vërtetë në ditë të hallit dhe kjo kuptohet nga mungesa e dialogut të brendshëm. Presioni i ditëve të fundit, i partive të vogla për korrektimin e sistemit zgjedhor, duket se po zëvendësohet me një tjetër kërkesë, paksa më produktive.
Pas garancisë që Rama i dha Skënder Gjinushit se do jetë në listën e kandidatëve të PS, del në skenë edhe Paskal Milo.
Sipas kreut të PDS-së, korrektimi i sistemit zgjedhor, ose listat e përbashkëta elektorale janë ndoshta të vetmet mundësi që koalicioni i tanishëm opozitar të paraqitet si i tillë edhe në zgjedhje.
“Ajo çfarë kemi kërkuar konsiston në atë që PS-ja duhet të këmbëngulë, jo thjesht të mbështesë, kërkesat tona, sidomos korrektimin kombëtar në sistemin aktual zgjedhor, por ta kushtëzojë ecurinë e reformës zgjedhore edhe me sanksionimin e këtij ndryshimi në Kodin Zgjedhor. Pra bëhet fjalë për gjetjen e një formule të re që llogarit dhënien e mandateve në fund të procesit zgjedhor. Janë në varësi të sistemit zgjedhor, pra korrektimit kombëtar të tij, por ka edhe mundësi të tjera, të cilat nëse PS-ja do të ketë vullnet për t’i realizuar ato mund të krijojnë hapësira për një bashkëpunim real ku partitë tona të përfaqësohen denjësisht me peshën elektorale që kanë”, u shpreh Milo.
Kreu i PDS-së, i referohet dhe diskutimeve për reformën zgjedhore, ku thotë se Kodi Zgjedhor duhet të jetë gati në kohë.