“Media - kalorëse e fjalës së lirë, dy dekada më parë nxori Shqipërinë nga censura”
Kryeministri Berisha, pritje me gazetarë dhe drejtues të medias në Pallatin e Brigadave
Deklarata - “Liria e mediave, do konsolidohet si liri e pacenueshme, viti 2012 do të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes”
Kryeministri Sali Berisha organizoi dje një prije me gazetarë dhe botuesit e drejtuesit e medias në vend, për t’i shprehur vlerësimet për kontributin e tyre gjatë vitit të kaluar dhe për t’ju uruar fillimin e vitit 2012. Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha vlerësoi rolin e medias dhe i cilësoi gazetarët si kalorës të fjalës së lirë.
Sipas tij, ishte pikërisht kjo media që e nxori vendin nga censura e dy dekadave më pare. Premtimi i kahershëm i kryeministrit Berisha është dekriminalizimi i shpifjes, duke i hequr administratës në kodin penal mundësinë për kallëzim ndaj gazetarëve.
Gjatë vitit të kaluar, tha kryeministri, nuk ka pasur asnjë proces gjyqësor ndaj gazetarëve, ndërsa garantoi se edhe gjatë këtij viti asnjë gazetarë s’do paditet penalisht për shpifje. “Kjo administratë, nën drejtimin e kësaj qeverie, nuk do të ngrejë asnjë proces të vetëm penal apo civil ndaj fjalës së lirë. Uroj që në këtë vend të konsolidohet gjithnjë e më shumë respekti e vlerësimi për ju dhe rolin tuaj përcaktues për një shoqëri e vend të lirë”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha zgjodhi t’i referohej gjatë fjalës së tij Ardit Gjebresë, dhe jo gazetarëve të informacionit, “Fjala e lirë krahasohet me dashuri”, e nisi fjalimin e tij kryeministri, për t’i dhënë fjalës së lirë një dimension ndjenjash, mbi të cilat qëndron dashuria. “Shoh këtu, midis nesh, Ardit Gjebrenë dhe menjëherë fjala në mendje më ndryshon. Fjala e lirë mund të krahasohet vetëm me një gjë, me dashurinë. Më frymëzoi Arditi për këtë, çka do të thotë përkujdesje, përkushtim i madh dhe luajalitet ndaj saj, sepse, ndër të gjitha vlerat e lirisë, asgjë më të rëndësishme nuk ka, kjo është e para. Njeriu mund të jetë në rrethana nga më të ndryshmet, mund të jetë i mëkëmbur, i pasur, i varfër, mund të jetë i pushtetshëm, i pa pushtetshëm, por individi që flet lirshëm, që shprehet lirisht, është individi me dinjitet. Në dallim nga ky, ai tjetri, mund të ketë çdo gjë, por nuk shpreh dot mendimin e tij, nuk flet dot lirshëm dhe ai ka një cen, një problem, e mangësi jashtëzakonisht të rëndë, ka një deficit në atë që përbën dhe thelbin e lirisë e të njeriut, që është dinjiteti njerëzor. Në këtë kontekst, roli juaj si kalorës të fjalës së lirë, roli i mediave në këtë vend, që, me gjithë vështirësitë që njohin, kanë nxjerrë Shqipërinë nga censura, - uroj një herë e përgjithmonë - është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Duke ju garantuar se do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që fjala juaj, me peshën e saj e në interesin publik, të dëgjohet gjithnjë e më shumë nga autoritetet e këtij vendi, do të bëjmë gjithçka që liria e fjalës të mund të konsolidohet si liri e pacenueshme në këtë vend”, u shpreh Berisha, duke deklaruar se dekriminalizimi i shpifjes i jep hapësirë mendimit të lirë.
Kryeministri kërkoi që të gjithë politikanët ta konsiderojë dekriminalizimin e shpifjes si akt vendosmërie për lirinë e mediave. “Edhe një herë ju siguroj për respektin tim më të madh ndaj jush, ju siguroj se do të bëhen përpjekje, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes, si një akt e vendosmëri e politikanëve shqiptarë, për të zgjeruar më tej jo hapësirën e shpifjes, në asnjë mënyrë nuk është qëllimi aty, por hapësirën e fjalës së lirë e të mendimit të lirë dhe për të mos përdorur më askush manipulime, të cilat, në fund të fundit, sjellin cenimin e saj. Shpreh kënaqësinë se - në memorien time ndofta jam gabim - viti që kaloi nuk ka pasur procese ndaj mediave nga administrata shtetërore dhe ju garantoj se nuk do të ketë sa të jetë kjo administratë nën drejtimin e kësaj qeverie. Ajo nuk do të mund të ngrejë as edhe një proces të vetëm penal apo civil ndaj fjalës së lirë, ndaj jush. Ky është një rregull që ne do t’i përmbahemi me vendosmëri”, konkludoi kryeministri Berisha.