E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Shqipëria, heqja e vizave nis pas 2009

 

BLEDAR HOTI

Liberalizimi i vizave të BE me vendet e Ballkanit pritet të nisë me shtetet si Maqedonia e Mali i Zi. Sekretari për Çështjen e Sigurisë dhe Politikën e Jashtme për Sigurinë, Havier Solana, pas takimit informal të ministrave të Jashtëm të mbajtur në Gymnich -Hllobuka të Çekisë, tha se në fund të vitit 2009 mund të nisë procesi i liberalizimit të vizave me shtetet e Ballkanit, si Maqedonia dhe Mali i Zi. Më pas do të procedohet me vendet e tjera të Ballkanit. Të mbledhur për dy ditë me radhë në kështjellën Hlluboka të Çekisë, ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar se dyert e BE-së mbeten të hapura për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket liberalizimit të regjimit të vizave, Komisioneri për Zgjerim, Oli Ren tha se, “rezultatet e këtij procesi mund të shihen në fund të këtij viti për vendet të cilat më së shumti do të punojnë në drejtim të përmbushjes së kritereve”. “Këtë vit jemi të orientuar kah liberalizimi i vizave dhe në bazë të të arriturave të vendeve, ne në pranverë do të përgatisim raportin”, tha Ren. Në këtë samit ministri italian Franko Fratini ka kërkuar që BE-ja të ndërmarrë një vendim për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë. Sipas tij, këto dy shtete të Ballkanit i kanë plotësuar kushtet e vëna nga BE-ja, duke kërkuar që të ketë një vullnet më të mirë politik për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit. Ndërsa anëtarësimi i mundshëm pritet të nisë me Kroacinë, Maqedoninë dhe Turqinë. Ministri çek i Punëve të Jashtme, Karl Shvercenberg, vendi i të cilit për momentin po kryeson me BE-në, deklaroi në konferencë për shtyp se detyra e tij në forum ka qenë t’u sqarojë “miqve perëndimorë evropianë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe se vendet ballkanike duhet të pranohen sa më parë në Union”. Sipas “Dojçe Veles”, nga shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor, synimet e të cilave për anëtarësim në BE u shqyrtuan sot, Kroacia është më afër inkuadrimit dhe shpreson që t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit. Ajo së pari duhet ta përfundojë kontestin kufitar me Slloveninë, e cila është anëtare e Unionit që prej vitit 2004 dhe e cila e bllokon kandidaturën e Kroacisë. Maqedonia mori status të kandidates në vitin 2005, por ende nuk e ka zgjidhur kontestin me Greqinë lidhur me emrin kushtetues. Sipas BE-së, çdo shtet i rajonit duhet t’i përmbushë detyrimet. Ministrat e Jashtëm të BE-së gjithashtu janë takuar me përfaqësuesit nga Shqipëria, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi, por gjasat e këtyre katër shteteve për t’u bërë pjesë e BE-së janë më të vogla se ato të Maqedonisë, Kroacisë dhe Turqisë. Ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband, deklaroi se zgjerimi do ta bënte edhe më të fuqishëm Bashkimin Evropian. Në deklaratën përfundimtare, ministrat e Jashtëm edhe njëherë konfirmuan përcaktimin e tyre se dyert e BE-së janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti për Maqedoninë, Kroacinë dhe Turqinë, që tashmë janë në rrugën e anëtarësimit në BE. Secili vend do të vlerësohet në mënyrë të veçantë mbi rezultatet e arritura në secilën prej kushteve të vendosura nga BE-ja. “Duke iu referuar procesit zgjedhor të tanishëm dhe të ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryesia kujtoi rëndësinë e sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, në përputhje me standardet dhe angazhimet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën përfundimtare të ministrave të Jashtëm.

Deklarata e Presidencës së BE

• Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësore për stabilitetin, pajtimin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, siç përcaktohet në procesin e stabilizimit dhe Asociimit, axhendën e Selanikut për Ballkanin Perëndimor në vitin 2003 dhe në Deklaratën e Salzburgut në vitin 2006. Progresi i çdo vendi drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë i bazuar në meritat individuale dhe kushtëzimin e rreptë, udhëheqjen e nevojshme politike dhe reformat ekonomike, në përputhje me konsensusin e rinovuar mbi zgjerimin, siç shprehet në konkluzionet e Këshillit Evropian më 14/15 dhjetor 2006.

• Duke iu referuar procesit zgjedhor të tanishëm dhe të ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kryesia kujtoi rëndësinë e sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, në përputhje me standardet dhe angazhimet ndërkombëtare.

• Procesi i Stabilizim-Asociimit mbetet struktura e përgjithshme për rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të tyre të plotë në të ardhmen. Duke bërë progres të dukshëm në reformën ekonomike e politike dhe duke përmbushur kushtet dhe kërkesat e nevojshme, vendet pranë statusit kandidat në Ballkanin Perëndimor duhet ta arrijnë statusin e kandidatit, në bazë të meritave të tyre, me anëtarësimin në BE si qëllimin përfundimtar.

• Forcimi i kontakteve mes njerëzve paraqet një përfitim të prekshëm të integrimit evropian për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Një regjim i lirë i vizave duhet të vendoset me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kur janë përmbushur standardet e përcaktuara në planet e liberalizimit të vizave. Shkëmbimet e eksperiencave studentore dhe profesionale të të rinjve përfaqësojnë një kontribut të veçantë për forcimin e harmonisë dhe tejkalimin e paragjykimeve mes popullit të Ballkanit Perëndimor dhe duhet të promovohen më shumë.

• Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe nevoja për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht mbi çështjet e pazgjidhura mes vendeve fqinje mbeten elementet thelbësore të rrugës së rajonit drejt BE-së. Bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është një element kyç i Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ai kontribuon për një mirëkuptim të përbashkët në rajon dhe për të gjetur zgjidhje për çështjet me interes të përbashkët, si në fushat e energjisë, transportit, tregtisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kthimit të refugjatëve dhe të kontrollit kufitar. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit përgëzuan vitin e parë të punës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe përsëritën se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›