Lala: Gjyqtari ishte dobët, Hungaria na i vodhi pikët
Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala është shprehur mjaft i zhgënjyer për humbjen pas ndeshjes me Hungarinë. “Sot duhet të fitonim patjetër, patëm disa raste, por nuk ia arritëm. Ndeshja ishte luftarake nga të dyja anët, por jo e bukur. Hungaria pati fat që shënoi në atë moment, kur nuk po rrezikonte në portën tonë. Një faull, ku ne nuk mundëm të ktheheshim aq shpejt, ndërkohë që më përpara loja duhet të ndërpritej, sepse Vangjelit iu bë një ndërhyrje e parregullt. Arbitri nuk ishte në nivelin e duhur, duke bërë një gjykim mjaft të keq, - u shpreh kapiteni. - Kemi çaluar në ndërtimin e lojës. Duhet të bëjmë më shumë lëvizje para topit dhe të kombinojmë më mirë me njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu mund të krijojmë raste. Nuk është se nuk patëm raste, por sot futbolli është goli. Po të kishim shënuar të parët mund të kishim fituar edhe lojën. Futbolli ky është. Edhe në Hungari goditëm shtyllën, por përsëri momentet e veçanta për ne janë thembra e akilit”. Në lidhje me lëvizjet taktike të trajnerit, Lala do të deklaronte: “Nuk besoj se ndikuan lëvizjet e trajnerit. Vendosja e lojtarëve në fushë nuk ishte e keqe. Në 20 minutat e para e kishim t vështirë të ndërtonim lojë. Kundërshtari luajti më shumë me topa të gjatë, duke shfrytëzuar sulmuesin Torgele. Kjo ishte shumë e vështirë për ne”. Lala nuk e pranoi faktin se Hungaria bëri një lojë më të mirë, duke thënë se kundërshtarët na vodhën pikë në Tiranës: “Hungarezët nuk luajtëm më mirë se ne, por në fund të të fundit iu doli loja dhe u munduan të ruanin rezultatin. Në një farë mënyre, kjo Hungari na vodhi pikët, ndoshta me meritë. Nuk ishte më lart se ne, por na ka marrë 6 pikë. Të shpresojmë që në Danimrakë të arrijmë ndonjë pikë. Pavarësisht se është e vështirë dhe të gjithë kujtojnë se çdo gjë ka mbaruar, ne do të mundohemi të japim maksimumin”. Në lidhje me sulmuesit, kapiteni u shpreh se ato maten vetëm nga golat dhe asgjë tjetër. “Sulmuesit maten te golat. Rëndësi ka që ai që luan të shënojë, apo të jap asist”, përfundoi Lala.