E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Llogaritja me dy metoda, shkel barazinë e votës”

 

Aristir Lumezi

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë për “Panorama” analizon pikat e dobëta të Kodit Zgjedhor dhe përplasjet e tij me Kushtetutën. Sipas tij, dy metodat e përzgjedhura për llogaritjen e numrit të mandatave të deputetëve cenojnë barazinë e votës.  Kume shprehet se një votë në një qark ka tjetër peshë për një parti që është në koalicion dhe tjetër peshë për partitë jashtë koalicioneve apo kandidatët e pavarur. Gjithashtu ai i sheh shtrënguese kushtet për regjistrimin e partive të reja apo ato jashtë parlamentare si dhe të kandidatëve të pavarur, të cilët duhet të paraqesin një numër shumë të madh firmash të noterizuara. Ai shprehet se dy partitë e mëdha kanë vendosur këto kushte për të përfshirë partitë e vogla në koalicionin me to.
Duke parë Kodin aktual sa i favorizon ai partitë politike që kandidojnë brenda një koalicioni dhe sa të disfavorshme janë ato që kandidojnë të vetme dhe jo në koalicion?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet t’i referohemi neneve përkatëse të Kodit Zgjedhor, nene në të cilat parashikohen kufizimet ligjore që duhet të kapërcejë një subjekt politik për t’u regjistruar, në rastin kur ai do të kandidojë më vete dhe jo në koalicion, ose në rastin kur është individ, si kandidat më vete. Menjëherë bie në sy fakti që kushtet që duhet të përmbushë një subjekt politik, që sot nuk është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, ose një kandidat i pavarur, janë goxha shtrënguese. Me këtë dua të them se kjo kategori duhet të mbështetet nga jo më pak se 10 mijë zgjedhës, dhe kur partitë e një koalicioni që nuk kanë deputetë në Kuvend, së bashku duhet të grumbullojnë jo më pak se 15 mijë firma. Kurse për kandidatin e pavarur, atij i është vënë si kusht që të tregojë se mbështetet nga jo më pak se 1% e votuesve të zonës përkatëse. Pra, bëhet fjalë për numra goxha të mëdhenj dhe, nga ana tjetër nuk është e lehtë, pasi këto firma kërkohet të jenë të noterizuara, duke rritur dhe koston e këtij kandidimi. Për mendimin tim, megjithëse Kodi nuk i ka përjashtuar kandidimet jashtë koalicioneve, të kandidatëve të pavarur, apo partive të reja politike, pra në një farë mënyre është ruajtur kërkesa e Kushtetutës se “kushdo ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë”, por më duhet të them se kërkesat që ka shtuar Kodi përpara këtyre janë shtrënguese, ndoshta deri në atë masë që për mua krijojnë situata të pamundura për t’u realizuar. Shpenzimi i energjive për të arritur deri në regjistrim, konsideroj se është shumë, shumë i madh.
Mendoni se kemi një moszbatim të frymës kushtetuese në Kodin e ri Zgjedhor?
Mundet të interpretohet edhe në këtë mënyrë, fryma po, ndërsa germa e Kushtetutës jo.
Si bëhet llogaritja e votave të marra nga partitë apo koalicionet në mandate deputetësh sipas Kodit Zgjedhor?
Mënyra se si Kodi Zgjedhor parashikon kthimin e votave të grumbulluara nga subjektet e ndryshme në mandate deputetësh në Parlament, është një diskutim që është realizuar nga subjektet e ndryshme dhe pothuaj të gjithë janë të mendimit, këtu bashkoj dhe mendimin tim, se ndodhemi përpara një kapërcimi të kërkesave të Kushtetutës, frymës së Kushtetutës për vlerësimin e asaj që quhet fuqi e votës. Aplikimi i dy formulave të ndryshme të ndarjes së vendeve, formulat, sipas së cilës ndahen vendet mes koalicioneve apo partive dhe individëve që garojnë në qark, dhe formula tjetër, sipas së cilës ndahen vendet brenda subjekteve anëtare të një koalicioni, e cila ndryshon nga e para, bën që brenda të njëjtit qark, e njëjta votë të mos ketë të njëjtën peshë. E thënë më thjesht, nëse një parti garon më vete për të marrë një deputet do t’i duhet p.sh. 6 mijë vota. Nëse kjo parti do të ishte brenda një koalicioni, për të marrë një deputet, sipas formulës së përdorur tashmë për ndarjen e mandateve të deputetëve brenda koalicionit, Sainte-Laguw, bën që asaj t’i nevojiten jo më 6 mijë vota, por 4500-5000 vota. Pra, kemi një peshim jo të njëjtë të së njëjtës votë brenda të njëjtit qark, që për mua është një shkelje e barazisë së votës.
Pse mendoni se është bërë një gjë e tillë?
Me aplikimin e dy formulave të ndryshme të aplikuara në dy nivele të ndryshme, pra në ndarjen e mandateve në një qark dhe ndarjen e mandateve brenda një koalicioni, shkelet një standard. Lind pyetja: Ku duhet kërkuar? Unë besoj se duhet kërkuar tek të mëdhenjtë e politikës. Dy partive të mëdha u intereson që në koalicionet ku ato do të garojnë vetë të fusin sa më shumë parti të vogla brenda tij, sepse në analizën e parë, votat e të gjithë të vegjëlve kthehen në mandate dhe në të dytën, gjasat janë, të paktën një pjesë e tyre, të mos arrijnë të marrin edhe aq vota sa do t’u duheshin për të fituar një mandat. Ndërkohë që nëse këto parti të vogla do të ishin jashtë koalicionit, në vend të 5000 votave për të marrë një deputet, do t’u duheshin 6000-7000 e marrë si shembull. Sipas meje, kjo është një taktikë e zgjuar e realizuar nëpërmjet një kapërcimi të një standardi, që është barazia e vlerës së votës, gjithmonë e konsideruar kjo votë brenda një zone zgjedhore, jo e barabartë në kushtet kur subjektet garojnë në koalicion ose më vete.
Ju vetë do të ishit për përdorimin e një formule cilado qoftë ajo?
Unë e kam thënë që zgjidhja duhet të ishte e tillë, një formulë cilado qoftë ajo në të dy mënyrat e përllogaritjes së mandateve. Kjo do të bënte që taktikat elektorale, grupimet ose jo në një koalicion apo më vete, të mos varej nga mënyra se si do të ndaheshin vendet. Pra, bashkimi në një koalicion do të ishte si rezultat i vullnetit politik të partive dhe jo i përllogaritjes aritmetike se ku një parti merr më shumë deputetë, brenda ose jashtë koalicioneve. Nuk u realizua një gjë e tillë, tani na mbetet të presim se ç’rezultat do të japë kjo mënyrë.
Në ndarjen e mandateve dy partitë e mëdha që e kanë iniciuar këtë metodë, “humbin” mandate, duke ia “falur” partive të vogla. Pse një gjë e tillë sipas jush?
Mund të krijohet përshtypja se ato humbin mandate. Unë pres dhe ma merr mendja, dhe do të jetë rezultati që do ta konfirmojë një gjë të tillë, se ato nuk humbin, por fitojnë mandate, sepse do të jenë votat e të gjithë të vegjëlve që do të konvertohen në mandate brenda koalicionit në nivel qarku që i shkojnë të madhit.
Zoti Kume, kemi një përllogaritje se sa vota duhen për të marrë një mandat për çdo qark?
Kjo do të dalë nga përqindja e pjesëmarrjes në votim.
Mendoni se do të ishte me vend sanksionimi në këtë Kod i përcaktimit të vlefshmërisë së zgjedhjeve nëse në to merrnin pjesë mbi 50% e zgjedhësve?
Ka praktika të tilla, ku kërkohet që një proces zgjedhor të konsiderohet i vlefshëm nëse realizohet një prag minimal i domosdoshëm i pjesëmarrjes në votime. Ne nuk jemi të përgatitur për të pasur një kushtëzim të tillë, sepse kam parasysh që ligjvënësit të bëjnë të vetën një kushtëzim të tillë, ashtu sikurse dhe shoqëria jonë në përgjithësi, është larg këtij standardi. Pra, votuesi shqiptar në tërësinë e tij është larg të menduarit se çfarë rëndësie të madhe ka vota e tij, nuk bëhet fjalë këtu për militantët. Të mos harrojmë, ne kemi një precedent; kemi mënyrën se si u votua Kushtetuta që kemi sot në fuqi. Në ligjin e mëparshëm sanksionohej që referendumet në Shqipëri konsideroheshin të vlefshme vetëm kur në të merrnin pjesë 50% e votuesve. Në 1998 u hoq ky kusht, pati një situatë politike të caktuar. Klasa politike nuk e merr përsipër ta përballojë një gjë të tillë. Në fakt, për pjesën dërrmuese të vendeve për zgjedhjet parlamentare nuk ka një kusht të tillë, kjo funksionon kryesisht vetëm tek referendumet.
Ju keni bërë një propozim për mënyrën e administrimit të votave nga KZAZ-të. Si e gjykoni administrimin e procesit në këto komisione?
Në krahasim me Kodin e mëparshëm deri në nivelin e hartimit të tabelës së rezultateve, Kodi nuk ka pësuar ndryshime. KZAZ-të administrojnë materialet e votimit dhe ia dërgojnë ato KQZ-së. Kodi parashikon nxjerrjen e rezultatit zgjedhor në nivelin e një tabele dhe pastaj të gjitha këto tabela nga të gjitha qendrat e një qarku do të shkojnë në KQZ. Në kodin e mëparshëm KZZ nxirrte rezultatin. Sot kjo gjë nuk bëhet. Propozimi im ka qenë që përveç KZAZ-ve të kishim dhe Komisione Zgjedhore Rajonale, të cilët do të nxirrnin rezultatin e votimit në një qark, pasi ky rezultat është i mbyllur dhe nuk varet nga rezultati kombëtar në këto zgjedhje. Në këtë mënyrë do të lehtësohet procesi i administrimit duke lehtësuar kështu edhe KQZ-në, e cila duhet të përballojë një volum të jashtëzakonshëm pune për përllogaritjen dhe shpalljen e rezultatit për çdo qark.
Mendoni se mund të ketë hapësira në këtë Kod për ndonjë “dushk” apo “mini dushk”, kam parasysh këtu një deklaratë të Neritan Cekës pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me PD-në, kur thoshte se do siguronte mbështetjen e demokratëve në ato zona ku ata do të ndjehen të pasigurt”.
“Dushku” është i hapur teorikisht, kjo do të varet nga taktika që do të zgjedhin anëtarët e një koalicioni brenda tij. Kjo është e mundshme. Logjikisht nuk ka kuptim, sepse në fund të fundit taktika elektorale e çdo subjekti është të marrë sa më shumë vota, sepse votat do t’i kthehen atij në mandate. Ata garojnë me lista të veçanta dhe në këto kushte mund të realizohet edhe një taktikë e tillë elektorale, ku t’i kërkohet pjesëve të elektoratit të votojnë një subjekt tjetër, por kjo nuk do të ishte jo e pranueshme në aspektin moral. Kjo mund të bëhet për hir të asaj që i madhi të joshë kryetarin e të voglit për t’u bërë pjesë e tij, sepse në analizën e fundit pjesa më e madhe e këtyre votave do të kalojnë tek partia e madhe.
Shikoni ndonjë pikë që mund të kërkonte rishikim në Kodin aktual zgjedhor?
Në Kod është parashikuar që një QV të ngrihet kur në një zonë të mos ketë më pak se 150 votues, në të kundërtën nuk mund të ngrihet një qendër e tillë. Në kodet e mëparshme vihej një kufizim i tillë në numrin deri në 100 votues. Mendoj se ky ndryshim gati 50% i kushtit krijon për mendimin tim vështirësi për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim në zona të largëta rurale. Unë nuk arrij ta kuptoj pse është bërë kjo rritje me 150 zgjedhës, i cili krijon kushte për mospjesëmarrje në votim të zgjedhësve, që për të shkuar të votojnë duhet të bëjnë 4-5 kilometra rrugë. Kursimi i QV përpara standardit që cenohet është një llogari jo e shëndoshë. 

Dy formulat si do llogariten votat

Aristir Lumezi

Në zgjedhjet e 28 qershorit do të përdoren dy metoda për të përllogaritur votën e shqiptarëve. Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, përcakton mënyra të ndryshme për ndarjen e mandateve mes koalicioneve dhe për ndarjen e mandatave të deputetëve brenda një koalicioni. Gazeta, për të bërë më të qartë për lexuesit mënyrën se si do të llogariten dhe do të kthehen në deputetë votat e marra, ka sjellë shembuj hipotetikë në numra për qarkun e Beratit. Në tabelën e parë kemi tre koalicione në garë, një parti që garon e vetme jashtë koalicioneve dhe një kandidat të pavarur. Numri i votave të çdo koalicioni, i partisë dhe kandidatit të pavarur është përpjesëtuar, sipas metodës d’Hondt, me numrat natyrorë, 1,2,3,4,5 duke nxjerrë përfundimet. Duke ditur se numri i mandateve për deputetë të përcaktuara nga KQZ në qarkun e Beratit është 8, fitojnë mandate të gjithë numrat e mëdhenj deri në plotësimin e 8 mandateve të deputetëve. Kështu shohim se pas këtij përpjesëtimi, Koalicioni i parë merr 4 mandate, Koalicioni i dytë merr 2 mandate dhe Koalicioni i tretë merr 2 mandate. Në këtë mënyrë plotësohen 8 mandatet e deputetëve në këtë qark, duke bërë dhe shpërndarjen e tyre sipas koalicioneve. Në përllogaritjen sipas metodës d’Hondt, as kandidati i pavarur dhe as partia jashtë koalicionit nuk ka marrë asnjë mandat deputeti. Pasi është bërë kjo shpërndarje e deputetëve sipas koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje në këtë qark, bëhet shpërndarja e deputetëve brenda koalicionit. Për këtë shpërndarje, kodi zgjedhor nuk përdor më metodën d’Hondt, por një metodë tjetër, Sainte-Laguw, e cila në vetvete favorizon partitë e vogla. Në tabelën e dytë, ku është zbatuar metoda Sainte-Laguw bëhet përpjesëtimi i votave që ka marrë çdo parti me numrat tek, 1,3,5,7. Kështu, duke vazhduar shembullin tonë, koalicioni 1, i cili mori katër mandate deputetësh në shpërndarjen në nivel qarku, duhet t’i ndajë këta deputetë çdo partie, sipas votave që secila prej tyre ka marrë. Kështu, numri i votave të marra përpjesëtohet me numrat tek, duke i shpërndarë çdo partie deputetët që i takojnë. Partia (a) merr dy deputetë, partia (b) 1 deputet dhe partia (c) 1 deputet. Këtë përllogaritje votash sipas Kodit Zgjedhor do ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo që bie në sy në ballafaqimin mes dy metodave të përllogaritjes së votave është eliminimi i partisë që është jashtë koalicionit dhe i kandidatit të pavarur. Partia e pavarur, e cila ka marrë 5050 vota, sipas përllogaritjes me metodën d’Hondt nuk arrin të marrë asnjë deputet, për shkak të numrit më të madh të votave, që nevojiteshin në rang qarku për të marrë një deputet. Gjithashtu, edhe kandidati i pavarur, i cili mori 5100 vota nuk mund të zgjidhej deputet për të njëjtën arsye. Nëse do të shohim partitë që janë pjesë e koalicionit të përbërë, ato marrin deputet me numër më të vogël votash se kandidati i pavarur dhe partia jashtë koalicionit. Në tabelën e dytë, ku përllogaritja e votave bëhet me metodën Sainte-Laguw, ‘partia b’ dhe ‘partia c’ pjesë të koalicionit të parë marrin nga një deputet me aq vota 5050 ose me më pak 2950 krahasuar me partinë e pavarur apo kandidatin e pavarur që me më shumë vota nuk arrijnë të marrin asnjë mandat deputeti. Shembulli tregon qartë kushtëzimin e partive të bashkohen në koalicione, pasi kanë më shumë mundësi të fitojnë mandat deputeti brenda tyre.

llogaritja sipas dy metodave

Formula D’Hondt

QARKU BERAT 8 mandate                   

Nr.    Subjekti    Vota    1    2    3    4

1    Koalicioni 1    21042    21042    10521     7014    5261

2    Koalicioni 2    12066    12066    6033    4022    3017

3    Koalicioni 3    11487    11487    5744    3829    2872

4    Kandidat i pavarur    5100    5100    2550    1700    1275

5    Parti jashtë koalicioni    5050    5050    2525    1683    1263

Formula Sainte-LagUW

QARKU Berat

Koalicioni 1                   
        1    3    5    7
Partia a    10500    10500    3500    2100     1500

Partia b    5050    5050    1683    1010    721

Partia c    2950    2950    983    590    421

Partia ç    2542    2542    847    508    363
       

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›