Kombëtarja dhe Han tradhtojnë një tifozeri të paparë
Kuqezinjtë, në një ndeshje zhgënjyese në “Qemal Stafa”, kanë rikthyer disfatën në Tiranë. Ka mjaftuar një gol i Torgeles që Hungaria të festojë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, sepse, së bashku me Danimarkën, është kryesuese e grupit. Kurse tanët...të parafundit. E Hungaria na nxori në “origjinë”.
Formacionet e fillimit
Një ndeshje që ka nisur me një atmosferë të ngrohtë për kuqezinjtë, por në fund, të gjithë kanë ikur me kokën ulur, sepse Hungaria na bëri atë që nuk e priste asnjëri. Na mundi, ndërsa për Ari Han, pas barazimit në Maltë, ky mund të jetë zhgënjimi më i madh. Për çudi Hani ndryshe përgatit e ndryshe vepron. Sepse, nëse gjatë gjithë javës e ka përgatitur anti-Hungarinë me Beqirin titullar pranë Canës në qendër të mbrojtjes, në orët e fundit vendos ndryshe. Që nga minuta e parë Berisha, i cili është me Salihin në sulmin kuqezi dhe 4-3-1-2 vendosja e kuqezinjve, kur përpara Hidit ishin Dallku në të djathtë, Cana e Curri në qendër dhe Vangjeli në të majtë. Në mesfushë Duro në të djathtë, Lala në qendër e Lika në të majtë, ndërsa Skela mbështeste Berishën dhe Salihin. Por 4-3-3 i Hungarisë ishte vërtet shkatërrues për tanët. Në mbrojtje Selezi në të djathtë, Vasko e Vanzak në qendër dhe Bodor në të majtë. Në mesfushë Rudolf në të djathtë, Dardai në qendër dhe Halmdosi në të djathtë. E rreth Torgeles ishin Husti në të djathtë e Hajnal në të majtë.
Loja
Ndeshja është e ekuilibruar në minutat e para, ndërsa gjithçka përqëndrohet në mesfushë, kur futbollistët ruajnë njëri-tjetrin për të përfituar nga gabimet. Si për të thënë që do të jetë një ndeshje e hapur vijnë gjuajtjet e Skelës dhe të Hajnalit, por 0-0. Hungaria paralajmëron në dy goditje këndi brenda një minute, ndërsa Torgele arrin të marrë goditje dënimi për miqtë në çdo aksion. E jo vetëm ai, por dhe Hushti e Hajnal, aq sa Cana, në një ndërhyrje të rrezikshme, merr kartonin e verdhë, që e lë jashtë ndeshjes me Danimarkën. Salihi dhe Berisha tentojnë me goditje jashtë zone, por pa rezultat. Hungarezët bëjnë presingun që në mesfushë, atje ku Duro, Lala e Lika thuajse janë inekzistencë. Miqtë fitojnë duelet e tyre dhe për mbrojtjen tonë bëhet gjithçka e vështirë. Aq më tepër që Vangjeli, në një ditë të errët, e ka të vështirë të mbajë Hushtin, i cili dhe duke përdorur bërrylat, di të marrë kohë nga tentativa e tanëve për të protestuar te holandezi për faull. Kroson dhe Torgele, në një përgjumje të Dallkut, e qëndis golin e tij, sepse kishte kohë për gjithçka përpara Hidit. E dyta ka nisur përsëri me drithërima për tanët, sepse Torgele i ka marrë topin Canës dhe përpara Hidit ka bërë atë që nuk do të kishe dashur ta mendonte. Kishte në dorë të mbyllte ndeshjen, por, për fatin tonë të mirë, vetëm jashtë. Kuqezinjtë marrin zemër dhe me shpresën se mund të barazojnë brenda dy minutash humbasin raste te “vija fatale” e portës mike. Hushti përsëri i lë “targën” Vangjelit, ndërsa Torgele ka tentuar të marrë penallti. Eshtë koha për zëvendësime, por Hani mjaftohet me Bakajn, që ka rrezikuar me një gjuajtje të “thatë”, që Babosh e ka larguar në korne. Tenton dhe Skela e Berisha, por 1-0 për Hungarinë dhe pas gati dy vjetësh kthehet humbja në “Qemal Stafa”
skeda
SHQIPËRI-HUNGARI 0-1
Shënues: Torghele 39'
E shtunë, 28 mars 2009, ora 20:30
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”
SHQIPËRIA: Hidi, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Lala, Skela, Lika (69' Bakaj), Duro, Salihi, Berisha.
Trajner: Ari Han.
HUNGARIA: Babosh, Vasko, Vanzcak, Bodor, Szelesi, Halmdosi (89' Gera), Rudolf, Dardai, Torghel, Huzhti, Hajnal.
Trajner: Ervin Kuman
Gjyqtar: Bjorn Kuipers (Holandë)
Kartonë të verdhë: Cana, Duro, Dallku / Vanzcak, Babosh, Halmdosi
Ari Han s’e mendon dorëheqjen
U paraqit i zymtë në konferencën për shtyp, por duket se as që e çon ndërmend dorëheqjen. Madje në përgjigjet që dha u përpoq të driblonte në çdo rast përgjegjësitë e tij, për dështimin e Shqipërisë në këtë edicion. “Mendoj se skuadra dha më të mirën e saj në këtë ndeshje. Ndjej shumë keqardhje, sepse humbëm një shans të mirë. Për arbitrin nuk dua të flas sepse ju e patë vetë se çfarë ndodhi”, tha Ari Han në konferencën për shtyp. “Unë mendoj se kemi ende shumë punë për të bërë. Mendoj se duhet të shohim përpara dhe të mendojmë për ndeshjen me Hungarinë. Nuk mendoj se lojtarët e stolit do të bënin më mirë në fushë se sa ata që luajtën, kështu që mendoj se kam vepruar drejt.
Kuman: Ari Han, natën e mirë!
Derbin holandez e fitoi ai, madje me shumë meritë. “Ari Hanit, tani që e munda dy herë i them natën e mirë”. Kjo ishte përgjigja e trajnerit të Hungarisë, kur u pyet se si ndihej pasi kishte mposhtur në të dyja përballjet, homologun e tij që drejton Shqipërinë. “Ishte një fitore që u arrit duke luftuar shumë në fushë. Padyshim që ishte shumë e merituar dhe u bëj komplimente lojtarëve të mi, sepse u treguan vërtetë të jashtëzakonshëm. Jo çdo skuadër arrin të fitojë në Shqipëri, pasi dihet se këtu janë ndalur ekipe të mëdha, por ne ia dolëm mbanë”, tha Kuman. “Për të qenë i sinqertë kisha llogaritur vetëm katër pikë me Shqipërinë dhe jo gjashtë, por gjithsesi ne i merituam të dyja fitoret, ndaj jam shumë i kënaqur”, u shpreh tekniku.