Neranxi: Bollano me dy fytyra për incidentin
Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, denoncoi dje bashkiakun e Himarës, Vasil Bollano se po tregohet i dyfytyrë në lidhje me incidentin e ndodhur dy ditë më parë në Himarë. “Shpreh mbështetjen për institucionet ligjore të shtetit dhe dënoj qëndrimet me dy faqe të kryebashkiakut Bollano. Dua të dënoj me forcë incidentin e ndodhur në qytetin e Himarës, ku disa qytetarë himarjotë me të drejtë reaguan në mbrojtje të pronave të tyre”, tha Neranxi. Sipas tij, bashkiaku i Himarës manipulon vazhdimisht opinionin lidhur me këtë çështje. “Dënoj manipulimin e opinionit që bën ky kryebashkiak politik, duke abuzuar me fshehjen e firmave të veta. Ky person firmos shembje banesash dhe pronash dhe pastaj hipokrizisht shfaqet si bashkëprotestues me militantët e tij bashkëfamiljarë, me të cilët mban të uzurpuar Bashkinë e Himarës”, tha Neranxi. Një banor i Himarës, Kosta Andruco, denoncoi në prokurorinë e Vlorës, Bollanon. Andruco është një nga katër të ndaluarit në polici, pasi kundërshtoi vazhdimin e projektit të rrugës Dhërmi-Sarandë. Sipas tij, projekti i rrugës për në plazhin e Potamit është devijuar me urdhër të Bollanos. “Projekti ka favorizuar një magazinë që të mos prishej dhe ka devijuar në bahçen time”, është shprehur Andruco. Në denoncimin e bërë në prokurori, ai denoncon se më 26 mars 2009, në orën 08:00, në bahçen e banesës së tij ishin futur pa leje disa punëtorë. Pas debatit të bërë me ta, Andrucos i është komunikuar se kishin marrë urdhër nga kryetari i bashkisë për të filluar punimet për zgjerimin e rrugës. “Unë nuk kam qenë në dijeni të këtij fakti. U kërkova punëtorëve të largohen nga prona e trashëguar brez pas brezi. Por forcat e ndërhyrjes më tërhoqën zvarrë mua, bashkëshorten time dhe kunatën”, thuhet në kallëzimin e himarjotit.