Kalorësi i buzëqeshjes së pavenitur
Po e themi që në krye se ky kalorës është ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha. Është ai që krekoset si kaposh e supozon skenarë imagjinarë komplotesh anti-atdhetare ndaj tij prej partisë opozitare. Është ai që përbetohet se është gati të shkojë në burgun më të thellë (meqë na dalka dhe me origjinë kosovare), dhe vetëm e vetëm të mos cenohet projekti më i madh i tij dhe i PD, i cili nxjerr në selamet Kosovën e Shqipërinë.
Në fakt, ky politikan që shquhet për buzëqeshjen “alla Enver Hoxha” përballet me një sërë akuzash serioze të prokurorisë shqiptare. Kur lexon aktpadinë e prokurorisë, bindesh e të vjen mirë për profesionalizmin e kompetencën, me të cilën ajo është hartuar. Të vjen mirë gjithashtu edhe nga kuraja dhe guximi i tyre, i prokurorit të çështjes, Arben Kraja, dhe i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Është hera e parë që prokuroria i shkon një çështjeje deri në fund, pavarësisht se si do të përfundojë ajo më tej, që nuk është përkulur nga presioni i egër politik (vetëm ta mendosh se ç’bën qeveria për t’i bërë ata të heqin dorë!)
Akuza është fare e qartë e logjike, megjithëse ky kalorësi ynë, bërtet e ulërin se ajo na qenka absurde. Edhe një joprofesionist e sheh se shkeljet e procedurave janë të qarta e fare të padyshimta në të gjithë këtë histori tenderësh, miqësish e të njohurish, ku ka bërë piruetet e tij mahnitëse ministri ynë. Pse mërzitet ai dhe nuk pranon fare urtë e butë të shkojë e t’u tregojë gjykatësve të gjitha justifikimet e tij bashkë me ndërgjegjen e pastër e të papërlyer?
Për një gjë shumë më pak se kaq, gjykata e Maqedonisë fqinje sapo i dha tre vjet e gjysmë burg ish-kryeministrit të vet dhe ish-shefit të shtabit të ushtrisë dhe nga tre vjet disa zyrtarëve të tjerë të lartë për një tender që nuk ishte më shumë se 2.4 milionë euro, kur ish-kryeministri kishte pas qenë ministër i Mbrojtjes. Gjykata vërtetoi se duke blerë katër herë më shumë se ç’duhej pjesë ndërrimi për tanket e ushtrisë, i qe shkaktuar njëfarë dëmi buxhetit të shtetit. Pra, nuk u vërtetua ndonjë vjedhje e drejtpërdrejtë dhe tenderi nuk ishte me qindra milionë apo deri në 1 miliard euro si ky yni. E megjithatë, ata “goxha burra” të Maqedonisë morën atë që meritonin.
Bah, po kjo nuk bën vaki në Shqipëri, thotë dikush. Vërtet, a është dënuar nga ndonjë gjykatë ndonjë ministër apo politikan i lartë në Shqipëri? Askush. Eteri shqiptar i mediave, i fjalëve të shkruara apo të thëna, i sharjeve e akuzave, është i mbushur i tëri me hajdutë, mafiozë, kontrabandistë, njerëz të hurit e të litarit e prapë askush nuk është dënuar nga gjykatat shqiptare. Ky është paradoksi më i madh në drejtësinë “e pavarur” të këtij vendi. Shikoni se sa ish-ministra, ish-kryeministra, ish-qeveritarë të lartë akuzohen e dënohen në vende si yni, që hynë në demokraci në vitet 1990.
Fenomeni ‘Basha’ është me shumë interes të studiohet. Ai dëshmon se nuk janë vetëm politikanët e vjetër ata që kanë prirje të korruptohen e të rendin pas aferave përfituese. Ka po ashtu edhe nga të rinjtë, nga ata që vijnë me diploma të rënda e përvoja të Perëndimit, që “ia dinë kimenë parasë“. Ata janë më modernë në shpërdorimet e tyre, në favoret e pasuritë që përfitojnë. Ata hiqen përgjithësisht globalistë, largpamës, përparimtarë e mbrojtës të të drejtave të njeriut e të shoqërisë demokratike, po, kur iu duhet, thërresin në ndihmë patriotizmin e mykur dhe përbetohen se janë shkrirë për atdhe e vatan.
Shumë raste tregojnë se figura të tilla, të rinj premtues, hyjnë me vrull në politikë, mbështetur nga mërzitja e publikut prej letargjisë e pasivitetit të kastave tradicionale politike. Dhënë pas entuziazmit, publiku e media lë mënjanë shpeshherë skanimin e tyre të kujdesshëm. Një gjë e tillë ndodhi në SHBA me yllin e ri të demokratëve në Illinois, guvernatorin Rod Bllagojeviç, të cilit afera e tentuar zbuluar së fundi për të shitur një post senatori, i nxori një mori shkeljesh e abuzimesh të tjera të rëndësishme në karrierën e tij që kishin kaluar të pavëna re.
Është fare qesharake e jashtë çdo kontesti logjik qëndrimi i qeverisë në pushtet ndaj prokurorisë. A nuk e kuptojnë këta qeveritarë se duke e sulmuar prokurorinë si “të kapur” e të komprometuar, sa herë që ajo përpiqet të bëjë punën e detyrën e saj, ata komprometojnë vetë qëndrimet e tyre të mëparshme? U bë e disata herë që sulmohet e ndryshohet prokuroria duke u etiketuar pasive ndaj krimit e korrupsionit. Prokuroren e re nuk e solli kreu i opozitës, sado që qëlloi të kenë bashkë të njëjtin mbiemër. E propozoi partia në pushtet. Atëherë, me se na e paska joshur e ndryshuar atë opozita, kur qeveria ka në dorë edhe gurin, edhe arrën?
Lëreni prokurorinë e gjyqësorin të punojnë, të nderuar qeveritarë! Mos iu humbni kohë me përgojime, anatema e telashe, se kanë boll punë të tjera për të kryer. Kanë një Gërdec të tërë që ju doni ta fshihni si minaren në kashtë e plot afera të tjera, veç atyre që kryeministri ynë kërcënon t’i nxjerrë, kur ta shohë veten keq. Sa për kalorësin tonë të buzëqeshjes së pavenitur, do t’i këshillonim ta veniste pakëz atë maskë buzëqeshëse dhe t’i nënshtrohet gjykimit të një publiku, ku ka pranuar të rrojë për të mirat që kishte, gjykim i përfaqësuar nga autoritetet përkatëse të prokurorisë e gjyqësorit.