E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE: Shqipëria nuk është në listën e trafikut

24/12/2004  Qeveria shqiptare ka arritur të marrë një vlerësim pozitiv nga BE-ja, lidhur me trafikun e qenieve njerëore që, sipas vlerësimeve të Brukselit, po shkon drejt zeros. Një grup ekspertësh të Komisionit Evropian ka bërë të njohur dje një raport, ku renditen vendet me nivel më të lartë të trafikut të qenieve njerëzore, si dhe rrugët që duhen ndjekur për minimizimin e këtij fenomeni. Në raport për herë të parë nuk përmendej Shqipëria, e cila sipas komisionerit evropian, përgjegjës për çështjet e rendit, Franko Fratinit, ka shënuar përmirësime të dukshme në luftën kundër këtij fenomeni, duke i çuar shifrat e personave të trafikuar drejt zeros. Fratini përmendi si vendet problematike dhe furnizuese të trafikut të qenieve njerëzore, Ukrainën, Moldavinë, Nigerinë, Rumaninë etj. Në këtë raport bie në sy heqja e një vije ndarëse ndërmjet kalimit të paligjshëm të njerëzve nga vendet e treta drejt BE-së, me trafikun dhe shfrytëzimin e drejtpërdrejtë të grave dhe fëmijëve me punë të detyruar apo prostitucion. Këtë dallim kishte parsysh edhe komisioneri i Bashkimit Evropian, Fratini, që në fjalën e tij theksoi se "trafiqet, që kanë si synim të shfrytëzojnë krahun e punës të burrave, grave dhe fëmijëve, si dhe ato që kryhen për qëllime prostutucioni, do të konsiderohen këtej e tutje si vepra penale dhe autorët e tyre do të dënohen si kriminelë dhe jo thjesht si kontrabandues malli apo njerëzish, siç ka ngjarë deri më tani".

Italia

Vetë ministri italian i Rendit, Pisanu, pati deklaruar muaj më parë në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, në Bruksel, se qeveria shqiptare e ka zbritur pothuajse në zero trafikun shumëvjeçar të qenieve njerëzore, qoftë ky me burim nga Shqipëria, por po ashtu edhe nga vendet e treta. Trafiku i qenieve njerëzore përbën një nga veprimtaritë më fitimprurëse për organizatat dhe grupet kriminale. Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare të specializuara, duke përfshirë këtu edhe Interpolin si dhe Europolin, numri i personave në botë, që janë viktimë e trafiqeve të ndryshme, rrotullohet në shifrat e 600 000 deri në 800 000 personave çdo vit. Në sugjerimet e dhëna në raportin e ekspertëve të BE-së, janë kërkuar masa më shtrënguese ndaj trafikantëve të këtij lloji. Sipas ekspertëve, masat e buta të ndëshkimit të autorëve dhe organizatorëve të trafiqeve kanë qenë relativisht të buta, po të krahasohen me ato të trafikantëve të drogës. Ky fakt ka bërë që grupet kriminale të qenieve njerëzore të shtohen gjithnjë e më shumë, dhe grupe të ndryshme mafioze, deri më dje të mbetura në hije, t'i rikthehen aktivitetit, ku viktimat kryesore të tij janë gratë dhe fëmijët. Eshtë hera e parë që Shqipëria nuk ndodhet në listën e vendeve që konsiderohen si burim, apo vende tranzite të trafikut. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore ka qenë dhe një nga kushtet për nisjen e negociatave për asociimin dhe stabilizimin me BE-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›